Bleon Sekiraqa e realizoi njërën prej ëndrrave të tij.

Futbollisti Llapjan që luan në ekipën e Prishtinës arriti të debutojë në Superligë në moshën e re, 16-vjeçare, duke u bërë njëri prej futbollistëve të rrallë kosovarë që e shijon një gjë të tillë.

Mesfushori ofanziv ndihet i lumtur që iu dha rasti të debutojë në ekipin e parë të FC Prishtinës, duke e falënderuar shtabit teknik për besimin që ia dha.

“Po ndihem shumë mirë dhe kjo do të thotë shumë për mua, që në një moshë kaq të re të jem pjesë e ekipit dhe të debutoj. Për këtë i jam falënderues trajnerëve, e sidomos kryetrajnerit Lindemann, që ka pasur besim në mua”, ka deklaruar Sekoriaqa.

Trajneri Lutz Lindemann ia dha rastin talentit prishtinas që të futej në lojë gjatë ndeshjes me Ferizajn dhe ai i tregoi vlerat e tij.

Image

Beson në sezon të suksesshëm

Sekiraqa shpreson t’i jepet përsëri rasti nga trajneri gjerman dhe premton se do ta japë më të mirën, për ta arsyetuar besimin e dhënë. Gjithashtu, synon ta ketë një sezon të suksesshëm edhe në nivelin ekipor.

“Gjithmonë synoj të arrij sa më shumë dhe të bëj sa më mirë, si në aspektin individual, ashtu edhe në atë ekipor”, nënvizoi ai.

Synon 11-shin e parë

Edhe pse në moshë mjaft të re, Bleoni i ka të qarta idetë e tij. Ai synon që në një të ardhme jo fort të largët të bëhet lojtar i rëndësishëm i Bardhekaltërve.

“Besoj që me punë dhe angazhim do të arrij të jem në 11-shin startues, pse jo”, përfundoi ai. Sekiraqa ishte pjesë e prishtinasve në turneun e Gjermanisë në muajin janar dhe pati paraqitje solide atje.