Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i është djegur sot vila në Katunishtë të Podujevës. Policia e Kosovës ka nisur hetime për këtë rast.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se kanë filluar hetimet për rastin.

“Sot rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën se një villë në fshatin Katunishtë të Podujevës, është djegur. Bazuar në të dhënat e deritanishme nuk raportohet për ndonjë person të lënduar. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin kanë nisë një hetim për rastin”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.

Bajqinovci në prononcimin e fundit të tij tha se është duke shkuar në vendin e ngjarjes dhe në momentin kur ka ndodhur incidenti askush nuk ka qenë i pranishëm brenda vilës.

“Jam duke shkuar, nuk kam kurfarë informate pos më kanë thënë se do dyer dhe dritare ka kërsit diçka dhe janë dalë jashtë dhe u kallë një pjesë. Policia janë në vendin e ngjarjes dhe jam në gjysë të rrugës për Prishtinë-Podujevë. Vila ndodhet mes Bajgorës dhe Llapit është një vend afër Bajgorës. Më thanë që është djegë”, deklaroi deputeti i VV’së për Gazetën Express.

Kur u pyet nga Gazeta Insajderi për këtë çështje, Bajqinovci deklaroi se “është i zënë”.

Bajqinovci e ka të deklaruar këtë vilë në deklarimin e tij të pasurisë. Ai ka deklaruar para Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit se ndërtimi i saj i ka kushtuar 25 mijë euro.

Sipas deklarimit, vila figuron në pronësi të deputetit të VV’së që nga 2017-a.

Sipërfaqja e kësaj vile është 78 metra katrorë, teksa thotë se u fut në kredi për ta ndërtuar atë.