Presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, ka thënë se disa ditë më parë autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë morën një kërkesë zyrtare për miratimin e një ligji që do të lejonte udhëtimin ndërmjet Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës vetëm me karta identiteti dhe se përfaqësuesit e RS-së e refuzuan atë.

“Ne e kemi refuzuar, nuk do të lejojmë të lëvizet asgjë në këtë drejtim”, tha Dodik.

Presidenti i RS përsëriti se Christian Schmidt është një “përfaqësues i lartë i paligjshëm” dhe se “është në interesin e Serbisë ta trajtojë atë si një përfaqësues të lartë të paligjshëm.”

Ai shtoi se autoritetet në RS nuk do të publikojnë vendimin e Schmidt për pezullimin e ligjit të pronës së paluajtshme të RS dhe as nuk do ta zbatojnë atë.

Kjo deklaratë e tij vjen pak kohë pasi Kosova miratoi marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit në Kuvendin e Kosovës. Marrëveshja për lëvizje të lirë ishte një ndër pikat kryesore. Gjermania ka vënë disa sanksione ekonomike ndaj Republikës Srpska si kundërpërgjigje.