Forcat ruse kishin befasuar NATO-n kur kishin hyrë në Aeroportin e Prishtinës përpara forcave të aleancës veriatlantike. Në natën e 12 qershorit të vitit 1999, një batalion i parashutistëve rusë që ishin në Republikën Serbe të Bosnjës u nisen befasisht drejt Kosovës, duke e marrë kontrollin e Aeroportit të Prishtinës në Sllatinë.

Situata ishte alarmante dhe më 14 qershor të vitit 1999, presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Boris Yeltsin, transmeton Demokracia.com.

Kjo është një pjesë e bisedës mes Clintonit dhe Yeltsinit:

Boris Yeltsin: Ky është shkaku i zhgënjimit tim, që paqebërësit në Kosovë, në fakt, mbyllin sytë ndaj asaj ndodhie. Rezultati i kësaj, kur shkoi deri këtu, është se militantët fillojnë të kërcënojnë paqeruajtësit rusë. Dhe ju mund të imagjinoni pasojat nëse këto kërcënime përkthehen në realitet. Zonja Albright e siguroi Ivanovin se është bërë puna e duhur përballë udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Do të doja t’ju kërkoja ta merrni këtë çështje dhe ta mbani nën kontrollin tuaj personal. Kjo është gjithçka që doja të them.

Bill Clinton: Fillimisht, më lejoni të them në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ne mësuam për një organizim dhe u thamë se nuk do të toleronim sulmin ndaj forcave tuaja dhe ata ranë dakord që të mos e bënin atë. Por, është e rëndësishme të kuptojmë pse ata donin ta bënin këtë. Ata besojnë se ngërçi në aeroport do të pengojë një KFOR efektiv. Ata besojnë se keni ardhur në Kosovë vetëm për të mbrojtur serbët, jo për të qenë pjesë e forcës ndërkombëtare. Ne e bëmë të qartë se nuk do të tolerojmë sulme ndaj forcave tuaja. Duhet ta zgjidhim këtë ose mund të presim telashe. Ne duhet të zgjidhim çështjen e aeroportit. Tani ajo që keni thënë për aeroportin sot është e mirë. Kjo do të thotë, mund të operohej bashkërisht dhe të garantohej aksesi, por kjo nuk doli nga takimi midis gjeneralit Jackson dhe gjeneralit tuaj. Pra, bazuar në atë që më keni thënë dhe në bisedën që kanë pasur Al Gore dhe Stepashin, gjenerali duhet t’i marrë ato udhëzime, që ne ta zgjidhim këtë çështje sot.

Boris Yeltsin: Por, kjo nuk ishte marrëveshja jonë. Së pari, duhet të arrihet marrëveshja dhe më pas do të nxjerrim menjëherë udhëzime.

Bill Clinton: Jam dakord. Pra, ajo që po them, nëse jemi dakord për këtë, më lejoni të kaloj tërë pikat dhe të shohim nëse kemi marrëveshje.