Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, sot ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, raporton Llapi.info.

Në këtë mbledhje të mbajtur me strukturat e partisë është diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kështu ka thënë për Llapi.info nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

“Po, ne sot e kemi mbajtur mbledhjen me strukturat e partisë së LDK-së në Podujevë. Në këtë takim është diskutuar kryesisht për përgatitjet zgjedhore në Komunën e Podujevës. Sot, nuk është folur për emrat dhe dega e LDK-së në këtë komunë ende s’e ka emrin e kandidat për kryetar. Natyrisht edhe emri do të zgjidhet në ditët në vazhdim, i cili mendojmë se do t’i fitojë zgjedhjet”, ka thënë Rudari.

Ndërkohë, zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars 2020.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhje për përgatitjet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë. Në këtë takim është aprovuar plani i buxhetit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë. Në këtë mbledhje janë përcaktuar afatet për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 shkurt dhe më 17 shkurt 2020.

-Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 2 mars 2020.

-Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues jashtë Kosovës fillon më 16 shkurt dhe përfundon më 23 shkurt 2020 ndërkaq periudha e votimit përmes postës fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020.

-Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues me nevoja të veçanta fillon më 26 shkurt dhe përfundon më 1 mars 2020.

-Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020.

-Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 10 mars 2020.

-Afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 12 mars 2020.

-Periudha për formimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 14 shkurt 2020.

-Periudha për formimin e Këshillave të Vendvotimit fillon më 25 shkurt dhe përfundon më 6 mars 2020./Llapi.info