Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka njoftuar se ka shtyrë afatin për lirimin e objektit komunal, që shfrytëzohet nga strukturat ilegale serbe, deri në pranimin e raportit nga Inspektorati komunal, më së largu deri në 15 ditë.
Komuna e Mitrovicës së Veriut kishte vendosur që objekti ku ushtrojnë funksionin strukturat ilegale të lirohet më 8 shtator. Por gjatë ditës së sotme, strukturat ilegale që punojnë aty nuk e liruan objektin.
Sipas Atiqit, Inspektorati komunal obligohet që të faktojë rrethanat dhe arsyet e përdorimit të objektit në fjalë, “që mbledhen përmes vizitave në terren dhe komunikimin me të gjitha palët”.
“Inspektorati komunal duhet të sjellë raportin nga pika 1 e këtij neni brenda afatit kohor prej 15 ditësh”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Në këtë objekt funksionojnë e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë dhe Metohi”, një “Qendër për Punë Sociale nga Vushtrria” dhe “Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës”.