“Draft Strategjia Komunale për Informim dhe Komunikim është më shumë iluzionare sesa konkrete”, kështu ka thënë Flakron Gashi, këshilltar në Kuvendin Komunal të Podujevës, nga rradhët e PDK-së.

Në mbledhjen e mbajtur sot nga Kuvendi Komunal i Podujevës, pikë e rendit të ditës ishte edhe votimi i vendimit për vënie në diskutim publik, në kuadër të Strategjisë për Informim dhe Komunikim. Ky vendim u miratua nga kuvendi dhe u vendos që diskutimi publik të mbahet më 15 prill në ora 14:00 në sallën e Kuvendit Komunal.

Por, me Draft Strategjinë Komunale për Informim dhe Komunikim nuk pajtohet opozita.

Flakron Gashi, nga rradhët e PDK-së, ka thënë se kjo strategji është më shumë iluzionare sesa konkrete.

“Strategjia Komunale për Informim dhe Komunikim është më shumë iluzionare sesa konkrete. Nuk përfillet kjo strategji. Duhet të këte vullnet politik për infomim të drejtë”, ka thënë Gashi.

Ai ka përmendur disa nga arsyet se pse sipas tij kjo strategji është iluzionare dhe jo konkrete.

“Faqja Zyrtare e Komunës në “Facebook” më shumë ngjanë në një faqe e një partie politike sesa e një komune. Mos t’harrojmë komuna është e gjithë qytetarëve jo vetëm e Lidhjes Demokratike. Këtu pasqyrohet vetëm lajmet që e nxjerrin kryetarin mirë. Majde, absurditeti më i madh është se prej Faqes Zyrtare të Komunës i bëhet like faqja në “Facebook e kryeministrit Mustafa. Nuk e di a ka nevoj me u nxjerr strategji për këto gjëra. Monitori i cili është në koridor të komunës për me i njoftu qytetarët për çështje të ndryshme është i shkyqur. Nuk e di a duhet me pas strategji për me e ndez këtë monitor? Nuk ka një kënd të ankesave të qytetarëve. Nuk ka asnjë broshur me të cilat janë njoftu qytetarët për aktivitetet e komunës për një vit. Qytetarët në faqen e komunës tek kategoria e lajmeve nuk njoftohen se kanë të drejtë dhe mund të jenë pjesmarrës në një seancë. Aty në një link vetëm skenohet thirrja zyrtare për asamble”, ka thënë Gashi.

“Në nenin 56 të kësaj rregullorje thuhet se këshilltarëve së bashku me ekstraktin e procesverbalit të shtypur duhet të jetë edhe CD-ja me regjistrime tonike. Neve asnjëherë nuk na është dhënë një CD. Të paktën kishim mundur që ti shkëpusim edhe qendrimet e juaja edhe tonat dhe me bë një CD”, ka shtuar ai.

Haki Rudari, nga LVV, tha se kemi pasur një politizim të informimit nga ana e komunës, derisa, Fidan Rekaliu, nga rradhët e LDK-së, tha se ne si grup i LDK-së e përkrahim këtë draft strategji.

Nazmi Elezi, zyrtar për informim në komunën e Podujevës, nuk e ka pa të arsyeshme të përgjigjet në pyetjet e Flakron Gashit, duke thënë se kjo është vetëm një draft strategji për informim dhe nuk ka se çfarë të përgjigjet./llapi.info