Në ambientet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është bërë prezantimi i Draftit të Hartës Zonale të Komunës së Podujevës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Në prani të drejtuesve të Departamentit të Planifikimit Hapësinor dhe të Institutit të Planifikimit Hapësinor, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Hamdi Jaha me bashkëpunëtorë, kanë theksuar se Komuna e Podujevës është e përkushtuar që Harta Zonale të jetë një dokument i planifikimit hapësinor që i hapë rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të komunës, duke marrë për bazë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.
Drejtori Jaha tha se hartimit të këtij dokumenti ka kaluar në disa faza, duke përfshi takimet me qytetarë në zonën urbane dhe rurale të komunës së Podujevës, si dhe takimet e rregullta me drejtoritë komunale, me përfaqësuesit e grupeve të interesit, shoqërisë civile, bizneseve dhe kompanive publike, duke siguruar gjithëpërfshirje në hartimin e saj.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e Departamentit të Planifikimit Hapësinor, Banimit dhe Ndërtimit, kanë vlerësuar angazhimin e komunës dhe të kompanisë së kontraktuar për hartimin e HZK-së së Podujevës.
Pas këtij prezantimi, në harmoni me kornizën ligjore në fuqi do të vazhdohet me procedurat e shqyrtimit publik dhe miratimit, duke mundësuar zbatim praktik nga ana e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Podujevës./Llapi.info