Në mesin e gjithë varreve ku prehen trupat e banorëve të Zallqit të Istogut, vetëm njërit i mungon guri. Aty s’gjendet as më e vogla shenjë që do të tregonte vendndodhjen e mbetjeve mortore, që janë gjetur së fundi. Banorët po dyshojnë se ato i përkasin Dedë Berishës, të zhdukurit të vetëm nga ky fshat gjatë luftës. Por, pavarësisht se po bëhen rreth dy muaj prej se janë gjetur ato eshtra, institucionet po presin shkrirjen e borës për të vërtetuar këto dyshime.

Ishte prilli i 1999’ës, kur Kristë Berishës nga Zallqi i Istogut i ishte zhdukur babai. Atë e kishin marrë disa ushtarë serbë, derisa ishte duke kaluar rrugës që dërgonte për në fshat. E që nga ajo kohë, familja e tij nuk ka dëgjuar asgjë për fatin e tij.

Për rreth 20 vite rresht, ata nuk kanë arritur që të marrin as edhe një informatë se ku gjendet familjari i tyre, Dedë Berishaj, i zhdukuri i vetëm nga ky fshat, gjatë luftës në Kosovë. 

Trupi i tij nuk është gjetur kurrë as i gjallë e as i vdekur.

Por, së fundi atyre iu është kthyer sërish shpresa se do të gjejnë familjarin e tyre, apo së paku eshtrat e tij. Ata po besojnë se mbetjet mortore që janë gjetur në dhjetor të këtij viti në varrezat e fshatit, nga një prej banorëve, i përkasin babait të tyre. 

Dyshimet për këtë po ua shtojnë çorapet dhe batanija brenda së cilës janë gjetur, të cilat ngjasojnë me ato që ai i kishte mbathur atë ditë.

Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar sot gjatë ditës në varrezat e fshatit Zallq, ku ka biseduar me banorët e këtij fshati dhe u sjell rrëfimin e tyre për këto mbetje.

Xhavit  Shala, i cili edhe i kishte gjetur këto mbetje, tregon se ai kishte qenë duke e hapur varrin e një prej banorëve të këtij fshati, i cili kishte ndërruar jetë po atë ditë. 

Shala thotë se derisa ishte duke gërmuar atë ditë, kishte hasur në diçka jo të zakonshme në dhe. 

Pas gërmimit që kishte bërë, në sipërfaqe kishin dal një palë çorape të shpuara nga plumbat dhe një batanije, brenda së cilës kishte eshtra që dyshohet të jenë të njeriut. 
Me të hapur batanijen, tregon se brenda saj kishte gjetur eshtra të këmbëve dhe të kokës bashkë. 

“Unë kam ardhë këtu edhe kam qenë duke e hapur një vorr. Aty i kam gjetë do çorape edhe një qebe. Kur e kam qel qeben kanë qenë do eshtra brenda saj. Me një fjalë kanë qenë këmbe e krye bashkë. Eshtrat munden me qenë të luftës. Atë natë kanë ardh Policia edhe e kanë lokalizu atë pjesë, edhe kanë ruajt aty tërë natën”, tregon Shala. 

Por, përveç vendosjes së atyre shiritave nga Policia rreth hapësirës ku janë gjetur mbetjet, Shala thotë se institucionet nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim tjetër. Eshtrat vazhdojnë të jenë të gropuara në vendin e mëparshëm.

 “Por, prej asaj nate më nuk ka ardh askush. Eshtrat e dikujt janë këtu, po qe nuk po vijnë me identifiku. Por, i kam gjetë kambë e kry bashkë. Njëra çorape është e shpuar në dy vende, sikur me qenë prej plumbi“, tregon Shala.

Ai shprehet i gatshëm që t’i zhvarros vetë ato mbetje e t’ua dorëzojë institucioneve përkatëse. 

“Veç le të vijnë t’i marrin se nuk janë thellë bre, vec 80 centimetra. Unë ua zhvarrosi vetë. T’i identifikojnë më shpejtë”, thotë ai. 

Por, edhe pse mbetjet nuk janë identifikuar ende, një prej banorëve të këtij fshati thotë se e di se të kujt mund të jenë ato eshtra.

Krisë Berisha po dyshon se mbetjet që u gjetën në dhjetor të 2018’ës nga Shala, janë të babait të tij, Dedë Berishës. 

Berisha thotë se babai i tij është i vetmi i zhdukur gjatë luftës nga ky fshat. Shton se bazuar në mënyrën si është zhdukur, ai mund të jetë vrarë e varrosur  nga serbët aty, për të mos lënë gjurmë. 

“Baba është zhdukë në 99’ën në prill, e kanë marrë këtu në fshatin Drej edhe e kanë dërgu në drejtim të Gjurakocit. Prej atëhershit nuk dihet më asgjë për të. Këtu në Zallq nuk është asnjë person tjetër i zhdukur përveç tij. Sipas të gjitha gjasave, eshtrat që janë gjetë janë të babait tim. Se edhe këtu ka qenë stacioni, e kanë dashtë me humb gjurmë, edhe pasi e kanë vra e kanë varros këtu”, tregon më pikëllim Berisha. 

Edhe ai thotë se kanë pritur që sa kohë, që të vijnë institucionet për të bërë identifikimin e mbetjeve, por që kërkesa e tyre ka hasur në veshë të shurdhër.

E në Policinë e Kosovës mos shkuarjen në këto varreza po e arsyetojnë me kushtet atmosferike. 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha i ka thënë Gazetës Express se janë në pritje të zbatimit të urdhëresës së marrë nga Prokurori.

“Vendi ku dyshohet për mbetje mortore në Istog, ende nuk është punuar, Policia është në pritje të zbatimit të urdhëresës së marr nga Prokurori, por ende nuk është ekzekutuar për shkak të kushteve atmosferike”, ka thënë Hoxha. 

Në pritje të një urdhërese për të shkuar në këto varreza janë edhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore. 

Arsim Gërxhaliu nga ky institut i ka thënë Gazetës Express se ata nuk kanë pranuar ndonjë urdhëresë për të shkuar te vendi, ku janë gjetur këto mbetje mortore. 

Ndryshe, 20 vjet pas përfundimit të luftës, janë edhe 1,648 persona ende të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.