Komuna e Podujevës ende s’ka nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e sheshit kryesor në këtë komunë. Përkundër se ishte planifikuar që punimet të fillonin në vitin 2017, të njëjtat ende s’kanë filluar kështu duke lënë hapësirë për një dështim të tretë të realizimit, njofton Llapi.info.

Rreth 1 milion euro të destinuara për këtë projekt, vitin e kaluar ishin rialokuar për asfaltimin e disa rrugëve dhe ndërtimin e trotuareve, por deri më tani asgjë nuk punuar në shesh, përveçse se ka filluar të ndërtohet rrjeti i ri i kanalizimit fekal e atmosferik, por që e njëjta kontratë nuk përfshinte edhe punimet e tjera.

Pikërisht për këtë temë edhe është debatuar dje në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal. Opozita po akuzon se sheshi po zvarritet për vota.
“Sheshi është shpall tenderi qe katër muaj, kemi ankesa e ankesa të shumta, ende s’është mbyll. Tash jemi në fazën përfundimtare dhe e kemi buxhetin mbi 860 mijë euro dhe është projekt dyvjeçar”, ka deklaruar Drejtori i Urbanizmit, Hamdi Jaha, duke mos treguar ende se kur pritet të fillojë.

Në një replikë, këshilltari i VV-së, Fitim Haziri, ka shtuar se ankesat, sipas tij, po vijnë pasi që tenderi është dhënë politikisht.

“Arsyeja e sheshit pse po janë këto ankesa pikërisht është se ju vetë e keni bërë punën që me qenë këto ankesa, por dijeni që kryetari i komunës e ka planifikuar që tenderin t’ia jap një shokut të vet dhe janë bërë këto ankesa se i është dhënë mbi 200 mijë euro më i shtrenjtë ai se sa të tenderët e tjerë”, ka thënë Haziri.

“Personi i gjashtë që është, është person politik që ka dashtë me bë këso. Ka fituar më i pari që është më i liri që është vlerësuar nga komisioni. I njëjti është mbyll e ka marrë e dyti se kështu shkon me radhë”, i është përgjigjur Jaha këshilltarit të VV-së.

Në lidhje me këtë, opozita e kësaj komune dyshon se kjo zvarritje po bëhet pikërisht për vota. Edhe Rafet Llapashtica nga PDK thotë se LDK-ja sërish në zgjedhjet tjera lokale do të thirret në këtë shesh.

Këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, thotë për Llapi.info se LDK-ja nuk mund të realizojë projekte të mëdha.

“Disa here e kam theksuar në prononcimet e mija që LDK-as në nivelin lokal, por as në atë nacional nuk njihet për realizimin e ndonjë projekti të madh. Si duket edhe për herë të tretë po dështon projekti për Bulevardin e Dëshmorëve. Vetëm në kohë fushate, subjekti qeverisës i komunës gallamon vetëm sa për t’i marrë votat e qytetarëve. Këto mjete disa here janë bartur në projekte për shtrimin e rrugicave. LDK prapë në kohë të fushatës së ardhshme lokale do të del dhe do të gallamon me projektin e bulevardit. Kjo është qeverisje lokale e dështuar e cila ka dështuar në zhvillim të komunës tonë”, ka thënë Llapashtica.

Për mos përfundimin e sheshit në Podujevë që nga viti 2017, komuna është akuzuar edhe nga shoqëritë civile.

Kujtojmë, Kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në debatin publik të mbajtur me qytetarë në vitin 2018, pati thënë se në pranverë do të nis komplet ndërtimi i ‘Bulevardit të Dëshmorëve, por i njëjti s’është nisur tani në vjeshtën e vitit 2019.

“…Përdorimi i kubëzave në rrugën kryesore të Podujevës, “Zahir Pajaziti”, është bërë me qëllim që të mos harxhojmë buxhet duke e shtruar me asfalt, por është bërë me kubëza përkohësisht deri në pranverë kur edhe pritet të bëhet hapja e tërësishme e sheshit”, pati thënë Veliu./Llapi.info