Që nga mandati i tij si drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Durim Salihu, tani drejtor i inspektoratit në Podujevë, është akuzuar për “marrje ryshfeti”, raporton Llapi.info.
Përveç një biznesmeni që akuzon Salihun për vite, tashmë akuzë të natyrës së njëjtë ka hedhur edhe banori i fshatit Llapashticë, Shaip Cakaj.
I njëjti përmes këshilltarëve opozitarë ka thënë se ka qe 5 vite që kërkon asfaltimin e një rruge, por që sipas tij, Komuna nuk i ka bërë zgjidhje. Sipas Cakajt, kjo ka ndodhur për shkak, siç e ka quajtur ai, “bindjeve politike”.
Arbër Blaku nga radhët e PDK-së ka thënë se një banor i fshatit Llapashticë kërkon asfaltimin e rrugëve që nga viti 2014, e që sipas tij, kjo nuk po ndodh për shkak të bindjeve politike.
“Kemi Shaip Cakaj nga fshati Llapashticë që kërkon asfaltimin e rrugës. Prej vitit 2014 ai sillet në zyre. Në atë kohë drejtor i Urbanizmit kish qenë Durim Salihu. Komuna e ka endur nëpër zyre për shkak të bindjeve politike, qe 5 vjet e ka endur. Madje, drejtori në fjalë e ka shti personin me pagu projektin me pare për me ardhur deri te shtroja e asfaltit”, ka thënë Blaku në seancën e fundit të Kuvendit.
Të njëjtën shkresë banori nga fshati Llapashticë i ka dërguar edhe këshilltarit të VV-së, Bajram Ajeti, që sipas tij, rruga ka mbetur e parregulluar për shkaqe politike.
Por, përkundër këtyre akuzave përmes fotografive, një gjë të tillë e ka mohuar tani drejtori i Inspektoratit, Durim Salihu. Thotë se është ballëhapur ndaj çdo qytetari dhe se nuk ka bërë ndarje politike sa ka qenë drejtor i Urbanizmit, për çka edhe është akuzuar.
“Dola pasi që në një formë u lakua pozita ime në mandatin e kaluar edhe emri im prej disa parafolësve. Kurrë, kurrë Durim Salihu s’ka ndodh as mandatin sa kam qenë drejtor i Urbanizmit, as sot që jam në mandatin e Inspektoratit të marrë dikë në telefon, të thërrasë dikë dhe të kontaktojë me dikë që t’i kushtëzojë ata që me një projekt dhe të punohet në bazë të preferenca kinse të Durim Salihut. Ata të cilët kanë argumente sado të vogla, hapeni rastin dhe bëni denoncimin në Prokurorinë e Shtetit”, thotë Salihu.
Më tej, Salihu ka shtuar se është i gatshëm të përballet me çdo lloj akuze me argumente para çdo institucioni legjitim.
“Jam i gatshëm të përgjigjem para çdo qytetari dhe të përballem me institucionet legjitime të Kosovës. Prandaj, ndihem krenar se jam shumë i pastër dhe ato propaganda dhe s’ka asnjë rast që Durimi e ka qit në lajthitje, ose i ka bërë presion ose që e ka josh në realizim të projekteve. Ato familje të cilat kanë probleme të natyrave më të ulëta në familje, tash t’i keqpërdorim. Jam ballëhapur para çdo banori të Komunës së Podujevës, andaj kujdesuni mos shtantazhoni, trilloni dhe shpifni pa argumente. Ke argumente unë jam i gatshëm përballë në çdo situatë, në çdo kohë dhe moment para qytetarit, kuvendit dhe para institucioneve lokale dhe qendrore”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që ish-drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, tashmë drejtori i Inspektoratit, Durim Salihu, që është akuzuar për këtë lloj natyre.
Akuza edhe më të rënda ka bërë edhe biznesmeni që jeton dhe vepron në Gjermani, Sami Bulliqi. Ky i fundit planifikonte që të investonte miliona euro në qytetin e Podujevës, të hapte vende të reja të punës.
Por, doli që një arkitekt i lidhur me një drejtor të Komunës së Podujevës e kishte mashtruar duke i shitur një dokument të thjeshtë në emër të projektit. Pas mashtrimit më projekt të investimit nga kryeinspektori i komunës së Podujevës, biznesmeni kosovar që ka ardhur nga Gjermania për të investuar në Kosovë, Sami Bulliqi, ka fajësuar edhe kryetarin e Podujevës, Agim Veliun.
Të njëjtën akuzë një faqe të tërë të gazetës gjermane e ka zënë po ashtu ky rast i Sami Bulliqit./Llapi.info
Lexo edhe: Gazeta gjermane shkruan për rastin e korrupsionit dhe haraçit në Podujevë