Pasi policia gjatë muajit mars hapi konkurs për pranimin e pjesëtarëve të rinj të saj, interesimi i të rinjve për të konkurruar është shumë i madh.

Drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismajl Smakiqi tha për kallxo.com se do të pranohen më të mirët.

“Është një interesim shumë i madh i të rinjve që të jenë policë të Kosovës. Ky është një fat i mirë për Policinë e Kosovës dhe për Akademinë që të pranojë më të mirët e mundshëm nga ata që konkurrojnë në këtë konkurs” tha Smakiqi.

Ai tregoi se mund të pranohen deri 300 policë në konkursin e hapur.

“Thuhet që do të jenë më pak se 300, mes 250-300, është çështje e buxhetit të vetë policisë sa do të ketë mundësi të sjellin, meqenëse në numrin prej 8000 policëve sa i ka Kosova, gjithmonë ky numër mund të lëvizë, meqenëse ndonjë polic ose del në pension, ose largohet për ndonjë shkak, me një fjalë ky numër gjithmonë është i varur prej atyre që largohen nga policia” tha Smakiqi për KALLXO.com.

Ai foli edhe për testet të cilave do t’u nënshtrohen kandidatët për policë.

“Pas hapjes së konkursit policia fillon me testime e veta që i ka, të cilat janë një mori testesh që do t’u nënshtrohet kadetët e ardhshëm, dhe pas përfundimit të testimit policia e përgatit regjistrin, gjegjësisht kadetët që do të vijnë në akademi”, tregoi Smakiqi.

Ai shtoi se kandidatët arrijnë të bëhen zyrtarë policorë vetëm pas përfundimit të trajnimit në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

“Në momentin e pranimit ata nënshkruajnë një kontratë me Policinë e Kosovës dhe e kanë titullin e kadetit, vijnë në Akademinë e Sigurisë, fillojnë procesin e kualifikimit, trajnimit profesional, i cili zgjat dy vjet e gjysmë. Pa përfunduar trajnimin bazik ata nuk mund të jenë zyrtarë policorë”, tha Smakiqi.

Kandidatët për policë do ti nënshtrohen testit me shkrim, testit të aftësive fizike, intervistës, testit psikologjik. kontrollimit mjekësor dhe verifikimit të së kaluarës.

Për të pasur të drejtë konkurrimi, kandidatët duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës të moshës 18 deri 30 vjet, të kenë të përfunduar shkollimin e mesëm, të jenë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale, të mos jenë të dënuar për ndonjë vepër penale, të mos posedojnë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar), të kenë integritet personal dhe vlera të larta etike.