Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ka pritur në takim gjeneralin e KFOR-it Salvatore Cuoco, me ç’rast Maxhuni prezantoi vizionin, misionin, vlerat dhe objektivat strategjike të Policisë së Kosovës, në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore.
“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar, krimit trans kufitar, si dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.
Ai gjithashtu theksoi se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me autoritet e KFOR-it, bashkëpunim ky i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta, kryesisht në brezin kufitar.
Maxhuni kërkoi nga gjenerali Cuoci, që të përkrahë dhe të mbështesë Policinë e Kosovës në anëtarësimin e saj, në mekanizma ndërkombëtarë, siç është INTERPOL-i, i cili është një ndër qëllimet primare të PK-së.
Cuoci konfirmoi se do t’i kushtojë rëndësi vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në nivel të drejtorëve rajonalë të të dy institucioneve.
Gjatë takimit u zotua për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, duke përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave dhe trajnimeve fushore, me qëllim të avancimit të mëtejmë të të dy institucioneve, e që kanë synime të përbashkëta në sigurinë e vendit dhe qytetarëve.
Takimi u përmbyll me një vizitë të realizuar në Qendrën Operative Komunikuese të PK-së, ku aktualisht është duke u zhvilluar një ushtrim i përbashkët i Policisë së Kosovës , KFOR-it dhe institucioneve tjera emergjente.