Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, ka thënë se për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe buxhetit të ulët në ndarë, siç ka thënë ai, është dashur të ndahen bursa për tri kategori; atyre me asistencë sociale, personave me nevoja të veçanta dhe ata pa njërin prind, raporton Llapi.info.

Në një konferencë për medie, Fetahu së bashku me kryetaren e komisionit, Makfirete Zeka, ka thënë se buxheti kësaj radhe për bursa ka qenë dyfish më i vogël krahasuar me vitet paraprake. Ai ka shtuar se për shkak të buxhetit të ulët, ka qenë e pamundur t’u ndahen bursa të gjithë aplikantëve.

“Ne kemi trashëguar një buxhet prej 50 mijë euro nga qeverisja e kaluar, për dallim q vitin e kaluar po e njëjta qeverisje kishte një buxhet prej 162 mijë euro dhe me këto mundësi buxhetore dhe me një numër të madh të aplikimeve, ku nga ta 1 mijë 200 nxënës dhe 618 studentë, e kemi pasur të pamundur të bëjmë ndarje për të gjithë. Komisioni për ndarjen e bursave është orientuar në tri kategori. 1. Nxënësit dhe studentët pa njërin prind, ata me asistencë sociale dhe ata me aftësi të kufizuar. Ka qenë e pamundur me bë ndarjen për gjithë ata që kanë aplikuar me këtë buxhet”, është shprehur ai.

“150 studentë kanë dalë me notë mesatare 8.2. Dhe ne nuk kemi pas mundësi që t’u japim të gjithëve, rrjedhimisht nëse kishim shkuar vetëm me notë mesatare do t’i diskriminonim të tjerët. Edhe me konkurs, ata me social i kanë pasur 20 pikë që e ka rrit numrin e pikëve në total për ata nxënës dhe studentë”, ka thënë ai.

Se që ka qenë numër i madh aplikimesh për bursa e ka thënë edhe kryetarja e komisionit, Makfirete Zeka.

“Për shkak të kërkesave enorme, jemi detyruar ne si Komision në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit që të vendosim për këtë kategori, të cilat janë të atakuar në këtë kohë të pandemisë. Publikisht kërkoj falje për gjithë ata studentë dhe nxënës që janë diskriminuar me nota të mira, por në pamundësi për t’iu ndihmuar është dashur të shkohet me këto kategori”, ka thënë Zeka.

Drejtori Fetahu e ka mohuar se ka familjarë të zyrtarëve komunalë që janë përfitues të bursave. Sipas tij, edhe për rastet që i kanë evidentuar se kanë aplikuar më shumë se një person brenda një familje, do të hiqen dhe do të zëvendësohen me ata nxënës e studentë që i kanë sjellë më vonë certifikatën e vdekjes së prindit, apo dokumentin që është me asistencë sociale.

“Listën do ta revidojmë. Te ne kanë dalë 14 persona që janë të të njëjtës familje dhe të njëjtit me vetëdëshirë janë hequr prej listës. Nuk ka prej qytetit të Prishtinës, por ka fëmijë që regjistrohen në Prishtinë kur lindin, ndërsa vendbanimin e ka në Podujevë”, ka theksuar Avni Fetahu.

Fetahu ka shtuar konkursi nuk do të përsëritet, ani pse të pakënaqurit me këtë vendim kanë të drejtë ankesa. Më tej, Fetahu ka thënë se tash janë në fazën e përgatitjes së Kornizës Afatmesme Buxhetore, ku do të kërkojnë rritjen e mjeteve për bursa dhe po ashtu ka thënë se do të hartojnë edhe një rregullore për bursa, që sipas tij, i ka munguar deri tash Komunës së Podujevës.

Ndryshe, ndaj këtij vendimi për ndarjen e bursave për tri kategoritë e lartpërmendura kanë reaguar edhe nga shoqëria civile, duke kërkuar që të anulohet i njëjti./Llapi.info