Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës, ka marrë hapa konkretë për ta përmirësuar cilësinë në arsim, pas publikimit të rezultateve të testit PISA.
Me qëllim të përmirësimit të rezultateve në arsim është organizuar mbledhje e përbashkët me drejtorë të shkollave, koordinatorë të cilësisë, koordinatorë të kurrikulave, pedagogë, psikologë të shkollave dhe zyrtarë të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Podujevë, njofton komuna e Podujevës, transmeton Llapi.info.
Në këtë takim është diskutuar në detaje dhe janë marrë detyra konkrete për ndikuar në përmirësimin e rezultateve të treguara në testin e PISA-s dhe vlerësimeve tjera të jashtme. Referues dhe ndihmës në këtë takim ishte edhe përfaqësuesi nga Instituti i Pedagogjisë, Ismet Potera.
Për arritjen e efekteve pozitive Drejtorinë e Arsimit në Podujevë ka dalë me rekomandime konkrete të cilat do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë nëpër shkollat e Komunës së Podujevës.
Rekomandimet të cilat kanë dalë nga ky takim përfshijnë rritjen e përgjegjësisë në të gjitha instancat të cilat merren me fushën e arsimit, duke filluar nga ato më të larta.
Kërkohet rritja e përgjegjësisë tek mësimdhënësit dhe drejtues të shkollave, trajnimin e mësimdhënësve bazuar në nevojat e tyre për të plotësuar njohuritë; takime me mësimdhënës dhe me prindër, duke i bërë ata pjesëmarrës dhe pjesë e përgjegjësisë. Ndërsa drejtorët e shkollave të analizojë rezultatet nga vlerësimet e jashtme, në tri vitet e fundit, duke nxjerr mangësitë sipas lëndëve mësimore.
Për zbatimin e këtyre rekomandimeve DKA duhet të mbështes shkollat me mjete mësimore dhe me trajnime sipas kërkesave, si dhe në kuadër të saj të formojë një ekip profesionistësh, të cilët do të dalin me sugjerime dhe veprime konkrete për përmirësimin e cilësisë në arsim./Llapi.info