Edhe java që lamë pas në qytetin e Podujevës nuk kaloi pa raste të ndryshme penale, njofton Llapi.info
Fillim java ishte e qetë sipas raportove ditore të policisë, asnjë rast nuk ndodhi në tri ditët e para. Ndërsa, mbrëmjen e së enjtes Policia ka njoftuar se rreth orës 22:00 në fshatin Dobratin, 3 persona të dyshuar kanë sulmuar rojën e pyllit duke i grabitur armën zyrtare.
Sipas PK-së, njësitet policore të Podujevës i janë përgjigjur rastit dhe kanë arritur të identifikojnë personat e dyshuar si dhe të sekuestrojnë armën e cila i është grabitur rojës së pyllit.
Kurse në ditën e premte në fshatin Shtedim një person është arrestuar pasi që i njëjti posedonte rreth 16 paketime me marihuanë. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar pasi që gjatë kontrollit në çantën e tij, i janë gjetur dhe sekuestruar 16 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Kurse në ditën e shtunë, një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdare. Arrestimi i personit në fjalë, sipas Policisë së Kosovës, është bërë në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar, i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, ditën e diele në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë katër të dyshuar janë rrahur mes vete, ku sipas PK-së dy prej tyre janë arrestuar.
Kurse, mbrëmjen e së dielës së fshatin Zakut të Podujevës një person nuk ka përfillur urdhrat e policisë. Të njëjtit i është konfiskuar kamioni me dërrasa, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar./Llapi.info