Reportazh nga Podujeva, qyteti që jeton me të shkuarën dhe të sotmen dhe që ngre edhe një teatër që mban emri e birit të vet, Avdush Hasani. Mbresa nga takimet me artistë dhe qytetarë të një zone ku, veç njerëzve, flasin edhe varrezat dhe memorialet

Të ecësh nëpër rrugët e qytetit të hershëm të Kosovës, me emrin BESIANA, në sheshet e lulishtet, të shohësh shtëpitë e reja, me çatitë e kuqe, të ngjitesh kodrinave të buta e maleve të larta që e rrethojnë (deri në bjeshkët afër Zotave!), do të përballesh në çdo pëllëmbë me bukurinë e madhështinë e natyrës, me varret e memorialet e pasluftës dhe do të ndjesh afshin e ngrohtë që ka sjellë liria e pavarësia e këtij vendi të bekuar e të martirizuar…Do të të mbushet kraharori me ajrin e freskët e syri me bukurinë e rrallë të një pamjeje krejt të re. E legjendat gjallohen. Sidomos ato të besës. Vlera më e qenësishme e këtyre banorëve, që nga lashtësia e tyre, kur krijuan fshatin BESA në brigjet e lumit të Llapës e shekuj më vonë qytetin e BESIANËS, apo Podujevën e sotme…

“Guri i themelit” i një institucioni të ri

Është një e vërtetë e njohur, që thotë se në qytetërimin e hershëm, njerëzit, e kanë nisur jetën (edhe në primitivitetin e tyre!) me ngritjen e teatrove. Edhe nëpër rrënojat tona ato i kanë rezistuar rrebesheve te kohës e të luftërave. Dihet gjithashtu se, kultura e një populli dhe e një shteti, po këtu matet, nga sallat e teatrove…Por, le të pranojmë edhe ndonjë paradoks të kundërt, pa e thënë këtë me “zë të lartë!”, se, ndërkohë që në Shqipëri janë mbyllur vitet e fundit 15 teatro të estradave profesioniste e disa teatro të dramës e të komedisë, këtu në Podujevë, sapo u vu “guri i themelit” i një teatri të ri profesionist!

Besiana, (e mbiquajtur Podujevë), e kishte ndërtuar më përpara godinën e teatrit, po nuk kishte ende një trupë profesioniste. Përherë kanë luajtur teatër aty amatorët e qytetit dhe ndonjë trupë mysafire, e ardhur. Një grup artistik amator, i përbërë nga Avdush Hasani, Mehmet Zeneli, Skënder Hyseni, Sanije Hasani, Have Blaku etj., me talentin e vullnetin e tyre vunë në skenë dramën e Kolë Jakovës “Halili dhe Hajria”, që në vitin 1973, e cila do të krijonte aty entuziazëm patriotik e një frymëzim të vaçantë të krenarisë kombëtare nëpër Kosovë , gjatë turneut të saj. Interpretuesi i rolit të Halilit, Avdush Hasani, thonin se edhe sytë i kishte si të shqiponjës. Mandej ai do të pëlqehej e imponohej, aq sa u shndërrua në një “yll” të filmit e të teatrit të vendit të tij me interpretimet e mëvonshme. Krijoi figura të bukura, ekspresive e plot botë të brendshme në skenë dhe në ekran. Prandaj edhe trupa e re profesioniste, e sapo “pagëzuar” këto ditë, do të mbante me të drejtë emrin e tij të ndritur.

Avdush Hasani, aktori i madh i Besianës, nuk jeton më, po mbeti vlera e tij mbresëlënëse në publikun e vet e një dashuri sublime, frymëzuese…Ai vdiq papritur në Gjermani, i mërguar, po do të varrosej në vendlindjen e vet, diku në një kodrinë bleroshe, ku i biri dhe ne që ishim aty (në çeljen e “perdes” së teatrit me emrin e tij), do të vinim një kurorë e do të mbanim aty minutat e heshtjes së kobshme!

Regjisori Agron Gërguri e Ismet Azemi, dikur miq të tij të këtyre anëve, do të jepnin në mbrëmje në skenën ku ka luajtur Avdush Hasani, dramën e Haqif Mulliqit “Për të vërtetën”, si të kishim të bënim me një vazhdimësi jete të pasvdekjes. E, kur perdja do të mbyllej, publiku i kulturuar i Besianës, do të ngrihej në këmbë për të duartrokitur trupën e vet profesioniste, që hapi kështu programin një javor të festivalit të teatrove profesioniste, nën devizën “Teatri Ndryshe”…Disa të rinj do të ishin përreth artistëve, të pranishëm gjatë ditëve të festivalit dhe shpejt do të mësonim se ishin amatorët me dëshirë, talent e ëndrra: Agnesa Bulliqi, Violeta Berisha, Kosovare Pajaziti, Arlind Jakupi e Militant Pllakolli, si “gjaku i ri” i së nesërmes, për t’u bërë edhe ata si Avdush Hasani…

Tokë me varre e memoriale

Podujeva, që vendasve u pëlqen ta quajnë përherë Besiana, është një qytet i vogël, po me një shtrirje të gjerë, i shtrirë përmes gjelbërimit të përjetshëm. Njeriun e magjeps natyra, po edhe e trishtojnë varret e të rënëve për liri e memorialet e tyre. Në çdo shteg, buzë rrugëve, pyjeve, lëndinave e kodrinave prehen ata, luftëtarët e lirisë, bashkë me ëndrrat e tyre, pa e parë rrezatimin e diellit të lirisë.

Kompleksi i memorialit të luftës së UÇK-së, është i vendosur në një faqe kodrine të fshatit Lladovc, në një sipërfaqe të gjerë, me shkallare mermeri, shatërvanë e grupe skulpturale që vështrojnë horizontin e Besianës, për të cilën luftuan deri në pikën e fundit të gjakut. Po aty, e futur në xham, është edhe vetura e shkatërruar nga fishekët e granatat që u hodhën kundra Zahir Pajazitit e shokëve të tij në një pritë afër Vushtrrisë.

Pak më tej, në një skaj të fshatit Orllan, memoriali i veçantë i këtij heroi legjendar të Kosovës, plotësohet me ripërtëritjen e kullës së tij të shembur nga gjylet e mortajave të serbëve dhe me skulpturën e tij reale, ku tani mbretëron qetësia e ngazëllimi i natyrës, duke të zgjuar menjëherë madhështinë e aktit të kryer. Dhe akoma, aty ku është brezi kufitar, në fshatin Shajkofc, do të shohim “Shtëpinë e Qëndresës”, ku luftoi deri në fundin e jetës, heroi tjetër i Kosovës e biri i Besianës, Hasan Ramadani, një luan i vërtetë. Shtëpia e tij është shpallur muze, ashtu sikundër është, e shkatërruar tërësisht nga bombat e shkjaut, me muret gjysmë të rrëzuara, me orenditë e teshat e djegura prej flakëve…

“Mos harroni o njerëz”!, sikur u thotë kjo shtëpi që vizitorëve që vijnë e shkojnë…Dhe kështu, “ ëndrrat do t’i mbajmë të ndezura!”, -thuhet në një poezi të veprimtarit të rezistencës, nxënësit e shokut të luftës e të burgut, Adem Demaçit, poetit Femi Berisha, po nga Besiana që të dy.

Shtëpia përbri është e po kësaj familjeje, e rindërtuar nga shokët e heroit, si një gjest human i mirënjohjes ndaj të rënëve, “rrënjët” e të cilëve shtrihen këtu si rrëmba gjaku. Atëherë, kur “liria lëngon rrënjëve” dhe për t’u kujtuar brezave qe vijnë se:” Për luftën kanë të drejtë të flasin vetëm të rënët, sepse vetëm ata e kanë kaluar jetën deri në fund”!. Ne , ju , ata, veç u përulemi me respekt e mirënjohje dhe një ndjenjë e thellë krenarie ta pushton shpirtin

Liqeni i Batllavës

Ky vend i rrallë i Kosovës të befason edhe me ujërat e tij të “mistershme”: ujërat termale shëruese, ujërat e përrenjve e të lumenjve të vegjël, të cilët degëzohen e shtohen, duke bërë një “rrugëtim” fort të gjatë, për t’u derdhur në tre dete (në Adriatik, në Detin e Zi e në Detin Egje!). Unë po eci tani brigjeve të Lumit të Llapës, që tejshkon Podujevën. Ndërsa burimet malore e rrëketë qiellore që mblidhen përrenjve të gjithkundme, duke krijuar liqenin më magjepsës qeë më kanë parë sytë…, i takon rrethinave të Besianës, me shtrirje 6 km. nëpër luginën pyjore midis Batllavës dhe Orllanit…

Ka trajtën e një elipsi gjigant, të fshehur nga pemë e shkurre të larta qe ruajnë freskinë e magjinë e pamjes, duke tërhequr këtu qindra-mijëra turistë në çdo orë të ditënatës, javës, muajit e vitit. Është 38 metra i thellë dhe furnizon me ujë të pijshëm Podujevën, një pjesë të Prishtinës, Obiliqin e Fushë-Kosovën. Të mrekullon me gondolat, skafet e varkat që vozitin aty, të shoqëruara nga pulëbardhat e lindje-perëndimet magjepsëse. Në brendësinë e vet të mistershme rriten 13 lloje peshqish të shijshëm, midis të cilëve radhitet krapi, shtuka, gërgaqi e sytkuqi.

Mrekullia shtohet me fshatrat e vilat e vetmuara, në të dyja krahët e liqenit, që mezi duken nën gjethet e pemëve, me ca dyqane e kioska të pakta, anës rrugës kryesore, fatmirësisht të asfaltuar, me minimarkete të rralla e plazhe të fshehura e plazhe publike në skajin fundor të elipsit liqenor, që tërheqin qindra-mijëra banorë të Kosovës e turistë të huaj…Magjia e natyrës është “e kryer”, sikundër thonë vëllezërit tanë të Kosovës dhe, kur vjen këtu, nuk të bëhet që të largohesh!

I veçanti, aktori Ismet Azemi

Është një nga ata artistë, që bashkojnë dy “brigjet” e veçanta të aktorit të skenës: artistin me njeriun. Diçka e rrallë kjo, që gjendet mrekullisht edhe në disa aktorë shqiptarë me emër, tek të cilët shkrihen në një të vetme: talenti vetjak, ëndërrimet krijuese, puna titanike profesionale dhe shpirti i pasur njerëzor.

Ismet Azemi, aktor i Teatrit Kombëtar në Prishtinë, besianas me origjinë, është njeri nga këta artistë. Fshati i tij, Pollota, ndodhet 18 km. nga Podujeva, rrëzë një mali që “pëlcet e humbet” nga gjelbërimi i thellë. Ishim për disa orë mysafirë të tij, në shtëpinë e braktisur të lindjes, ku tashmë i ka shërbyer për të xhiruar dy filma artistikë, që ruan ende pamjen e njëhershme, 100 e ca vjeçare, me oda e mjedise të shumta, për njerëzit e kafshët e punës, me porta të larta prej druri, avlli e oborre, me pemë frutore e me gjithçka duhej në këtë familje patriarkale të njëhershme…

Nëpër muret e larta duken gropat e predhave të serbit, që godiste nga kodra përballë për t’i dëbuar prej trojeve te tyre. Ismeti rrëfen edhe shtegun e fshehtë, nga ku ata hynë, në raprezaljet e fundit, për t’i përzënë me zjarr, hekur e dhunë direkte, me përdhunime e vrasje. Këtu pra ka lindur ai, Ismet Azemi, aktori i talentuar i Kosovës, që e ka bërë të tillë jeta e vështirë, puna dhe talenti. E, kur do të vinin në Angli, në skenën e Edinburgut në vitin 2003, për të dhënë shfaqjen e dramës “Kosowari” te Haqif Mulliqit, do të shpallej aktori më i mirë e spektakli i tyre do të radhitej midis 10 shfaqjeve më të mira të atij festivali ndërkombëtar. E pastaj do të vinte për të Londra, Bukureshti, Kajro e Tirana, për ta përshëndetur këtë aktor bashkëkohës.

Si “aktori më i mire” do të shpallej më vonë edhe në disa festivale teatrore të zhvilluara në Korçë, Vlorë, Fier e Elbasan. Ndërsa me dramën e Artur Milerit “Vdekja e komisionerit”, talenti i tij spikati edhe më gjerë e më fuqishëm, për të arritur ca më tej akoma, në realizimin e monodramës “Mos Harro!”, ku ai është autor, regjisor e aktor njëherësh.

Ismet Azemin e gjen edhe si këngëtar, që ka regjistruar edhe një album, me një zë të ngrohtë, prej tenori lirik, që ia shton vlerat si aktor e si njeri.

Kjo ishte për mua, Podujeva, ku shkova për herë të parë si mysafir e qëndrova aty vetëm 5 ditë të paharruara!