Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, tha se është thellësisht e prekur nga vdekja e humoristit të madh shqiptar Koço Devole.
Dumoshi tha se vdekja e Devoles është humbje e madhe për të gjithë komunitetin artistik.
Ajo i ka shprehur ngushëllime familjes.
Telegrami i ngushëllimit:
E nderuara familja Devole,
Të nderuar miq, artdashës e bashkëpunëtorë,
Me dhimbje mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të artistit të mirënjohur shqiptar Koço Devole. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët dhe për komunitetin artistik në Shqipëri.
Koço Devole qe me plot të drejtë një nga personalitetet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, qe karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.
Ikja e tij e beftë dhe e padrejtë e kësaj kohe të vështirë të cilën po e jetojmë lë boshllëk të pazëvendësueshëm në artin e kulturën shqiptare në përgjithësi.
Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme artistike të tij i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve, artdashësve dhe atyre që patën nderin ta njohin.