Ka nisur sot asfaltimi i shtresës së parë në projektin “Ndërtimi i rrugës nacionale N25, segmenti Besi – Podujevë, Lloti 4”, shkruan Llapi.info.
Kështu ka bërë të ditur në Facebook zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, duke shtuar se do t’i kryejnë punimet në projektet që sipas tij janë zvarritur me vite.
“Grupet e organizuara kriminale nuk na ndalin Mision e kemi që sa më parë të përfundohen projektet që janë zvarritur me vite të tëra. Sot po asfaltohet shtresa e parë në projektin “Ndërtimi i rrugës nacionale N25, segmenti Besi – Podujevë, Llot 4”. Për qytetarët dhe vetëm për ta, pavarësisht pengesave, sabotazhave e përpjekjeve të grupeve të organizuara kriminale që të na pengojnë”, ka shkruar ai.
Punimet në këtë magjistrale kanë nisur në vitin 2016, kur ministër i Infrastrukturës në ato kohë ka qenë Lutfi Zharku. Por, edhe pas ndërrimit të pushteteve, MI është akuzuar se ka mungesë të planit të për ndërtimin e kësaj rruge, pasi në të, përveç tjerave, mungojnë vend-stacionet për autobusë e shiritat ndihmës. Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës për dinamikën e ulët të punimeve për këto vite vazhdimisht kanë fajësuar banorët për shpronësime.
Si pasojë e dinamikës dhe lënies së punëve në gjysmë, kjo rrugë, shpesheherë ka qenë e rrezikshme për vozitësit, ndërkohë që edhe numri i aksidenteve fatale për këto vite ka qenë i madh./Llapi.info