Katër persona kanë mbetur të lënduar në dy aksidente të cilat kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në Podujevë.

Lajmin për portalin Llapi.info e ka konfirmuar, Antigona Çitaku- Dibrani, Zyrtare për Informim në Policinë e Podujevës.

“Njëri nga aksidentet ka ndodhur rreth orës 10:44, në fshatin Sekiraçë, ku në aksident kanë qenë të përfshira 3 vetura, dhe rastin po e trajtojnë Ekipa e Trafikut Rajonal, ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur rreth orës 12:50 në rrugën “Skenderbeu” në hyrje të fshatit Letanc, ku një person ka goditur me veturë një 15 vjeçar, ku personi që ka qenë duke e vozitur veturën është marrë nga Policia për procedura të mëtejme” ka thënë Zyrtarja për Informim në Policinë e Podujevës.

Përgjegjësi i Emergjencës në Podujevë, Avdyl Zhushi për Llapi.info ka konfirmuar se kanë qenë 4 persona të lënduar, ku si pasojë e aksidentit në fshatin Sekiraçë, tri femra kanë marr ndihmën e parë dhe pastaj janë dërguar në Qendren Emergjente në Prishtinë për kontrolla më të detajuara, por sipas tij gjendja e tyre nuk ka qenë alarmante.

Ndërsa, 15 vjeçari, i cili është goditur nga vetura, është dërguar në Q.K.U.K për të bërë disa fotografime, pasi ka pësuar lëndime të lehta në kokë, dorë dhe këmbë./Llapi.info