Shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur se vendimi i Qeverisë për rritje të pagave nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Por, dy nga gjyqtarët e kësaj Gjykate kanë ndarë mendimin e tyre nga shumica.
Sipas gjyqtarëve Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani, vendimi për rritje pagash i Qeverise nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.
“Ne konkludojmë se Vendimi nr. 04/20 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 20 dhjetorit 2017, nuk është në përputhje me nenet 92 dhe 93 të Kushtetutes, sepse as nuk “zbaton një ligj” dhe as nuk është një “propozim””, thuhet në mendimin e ndarë të gjyqtarëve Almiro Rodrigues dhe Gresa Caka-Nimani.
Madje, sipas tyre ky vendim kishte shkelur ndarjen e pushteteve të garantuar me Kushtetutë.
“Më tutje në konkludojmë se rrjedhimisht Vendimi nr. 04/20 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 20 dhjetorit 2017, cenon kompetencat e Kuvendit të përcaktuara në nenin 65.5 të Kushtetutës, duke afektuar kështu balancimin dhe ndarjen e pushteteve të përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”, thuhet në fund të mendimit të ndarë.
Vendimi i nxjerrë sot nga gjykatësit e Kushtetueses për pagat e rritura të qeveritarëve u ka krijuar favore edhe këtyre të fundit përfshirë rritjen e pagave për gjykatësit e Kushtetueses.
Ligji për Gjykatën Kushtetuese, Neni 15, përcakton se “paga e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 1.3 herë më e lartë sa ajo e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës”. Ndërkaq, sipas ligjit kryetari i Gjykatës Supreme merr pagë sa të kryeministrit ndërsa gjykatësit e Supremes marrin 90% të pagës së kryetarit, Kallxo.
Paga momentale e gjykatësit kushtetues pa shtesa dhe mëditje është rreth 1,653 euro ndërsa me rritjen e cila vjen pas vendimit të fundit paga do arrijë rreth 3,400 euro.
Gjykatësit kushtetues e morën këtë vendim pas kërkesës së 30 deputetëve të kuvendit të cilët kërkuan interpretim nëse vendimi i qeverisë për rritje pagash ishte në përputhje me kushteten.
Gjykatën Kushtetuese e përbëjnë: Arta Rama- Hajrizi (kryetare) dhe anëtarët Ivan CVukaloviq, Altay Suroy, Almiro Rodrigues, Snezhana Botusharova- Doicheva, Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu- Krasniqi dhe Gresa Caka- Nimani.