Një 16-vjeçar dhe një 58-vjeçare nga Podujeva mbrëmë kanë rezultuar pozitiv për COVID-19. Ata dyshohet se janë infektuar me koronavirusin e ri në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, përkatësisht në Gjinekologji dhe Kirurgji. Të dy kanë shkuar atje për t’u bërë operacion, por para ndërhyrjeve iu është kërkuar që t’i nënshtrohen testit dhe kanë rezultuar pozitivë. Express u sjell detaje rreth këtyre rasteve.
Mbrëmë janë konfirmuar dy raste të reja me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Informacione rreth moshës së tyre dhe burimit të infeksionit ka dhënë specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent.
Rama i ka thënë Gazetës Express se asnjëri prej të infektuarve nuk ka simptoma.
Sipas saj, dy personat që mbrëmë dolën pozitivë për COVID-19 janë infektuar në Qendrën Klinike dhe Univeristare të Kosovës.
Rama thotë se 58-vjeçarja ndodhet qe dy javë në Klinkën e Gjinekologjisë për shkak të problemeve shëndetësore. E njëjta nuk ka pasur asnjë simptomë se është e infektuar me koronavirus, por para operacionit i është nënshtruar testit dhe ka rezultuar se është e infektuar.
“Mbrëmë janë konfirmuar dy raste me koronavirus në Podujevë. 58-vjeçarja e cila ka dal pozitive për COVID-19 ka qenë qe dy javë në Klinkën Gjinekologjike meqenëse ka pas probleme shëndetësore. Asaj i është caktuar dita për operim, por para operimit i është kërkruar që t’i nënshtrohet testit për koronavirus dhe ka dal pozitive”, ka thënë Rama.
I infektuari tjetër është një 16-vjeçar. Edhe ai dyshohet se është infektuar në QKUK. I njëjti kishte pësuar aksident me biçikletë gjatë javës së kaluar dhe ishte udhëzuar për në Kirurgji për ndërhyrje. Para operacionit, ai është testuar dhe ka dal pozitiv.
“Ndërsa, personi tjetër i infektuar është një 16-vjeçar. Ai ka pas një aksident me biçikletë javën e kaluar dhe ka shkuar në kirurgji për operim. Para operimit i është nënshtruar testit dhe ka dal pozitiv. Pra të dy dyshohet se janë infektuar nëpër klinika. Të dy janë pa simptoma”, ka treguar ajo për Express.
Sipas Ramës, gjendja e shtatë të infektuarve nga kjo komunë është e mirë dhe se asnjëri prej tyre nuk ka simptoma të sëmundjes.
Ajo ka treguar se sot është përcjellë vetëm një mostër për testim, derisa thotë se janë duke e përgatitur listën e kontakteve të personave të infektuar.
“Gjendja e shtatë pacientëve të infektuar nga Podujeva është e mirë dhe asnjë prej tyre s’kanë simptoma. Sot është përcjellë vetëm një mostër për testim. Jemi duke i gjurmuar të gjithë personat që kanë pas kontakt, por ende se kemi gati listën. Në momentin që do ta kemi gati, do ta përcjellim në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik”, ka deklaruar Rama për Express.
Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar 17 raste të reja me COVID-19. Me këto raste, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 780. Deri tani, janë shëruar 201 pacientë, derisa kanë vdekur 22 të infektuar.
Rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga Prizreni, Leposaviqi, Podujeva, Prishtina, Dragashi, Kaçaniku, Rahoveci, Suhareka dhe Zveçani.
“Sot më 27 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 226 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej shtatëmbëdhjetë (17) raste”, ka njoftuar IKShP’ja.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.