Dy personat e plagosur gjatë grabitjes së armatosur dje në Veternik po trajtohen në Klinikën Intensive.
Njëri i dyshuar e tjetri viktimë janë në gjendje të rëndë.
Në një bisedë me Gazetën Express, drejtori i Intensivës Shaqir Uka tha se të plagosurit janë në gjumë me barna dhe të kyçur për aparatura mjekësore.
Uka shtoi se ata po monitorohen 24 orë.
“Po të dytë janë në mjekim intensiv. Dy pacientat e plagosur me armë zjarri pas ekzaminimeve dhe trajtimit kirurgjik në sallën operative e cila është kryer dje, janë sjellur për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Qendrën e Mjekimit Intensiv Qendror ku po vazhdojnë të marrin trajtim edhe më tutje. Gjendja e përgjithshme e tyre vazhdon të jetë e rëndë. Ne jemi në fazën kur tentojmë ta bëjmë stabilizimin e tyre mjekësor të këtyre parametrave vitalë. Të dy qëndrojnë të fjetur me barna, të kyçur për aparatura mjekësore dhe po monitorohen 24 orë”, tha ai.