Screenshot

I lodhur nga lëndimet e shpeshta, Ahmed Januzi ishte para një vendimi. Më të rëndin ndoshta për një lojtar.

“Ta lë futbollin”, zbulon Januzi gjatë një bisede me KOHËN.

“Kjo nuk është fshehtësi. Kjo është e vërtetë”, vazhdon sulmuesi.

Vendimin e pavullnetshëm, Januzi thotë se ishte gati ta merrte dy vjet më parë.

“Por, ishte Llapi në krye me trajnerin Tahir Batatina që më bindën të vazhdoj”, thotë Januzi.

Ai thotë se te Llapi ka gjetur ambientin e duhur për të vazhduar me futboll.

“Rilinda te Llapi”, thekson sulmuesi nga Vushtrria.

36-vjeçari iu bashkua Llapit për herë të tretë, vitin e kaluar. Më herët ka qenë te llapjanët edhe në dy periudha të ndryshme.

Për herë të parë iu bashkua në vitin 2018 nga Prishtina. U kthye te Prishtina sërish pas një viti, për t’u kthyer më pas në vitin 2020 te klubi nga Podujeva. Së fundi iu bashkua në gusht të vitit 2023 nga Dukagjini i Klinës. Në Kosovë ka luajtur edhe për Vushtrrinë, klubin e vendlindjes.

Por Januzi tregon se ka pasur trajtim të mirë te Llapi, skuadër për të cilën në edicionin aktual ka shënuar pesë gola.

“Nuk kam pasur lëndime, trajtimi dhe respekti kanë pasur ndikim të madh. Kur kam ardhur në fillim kam pasur vështirësi, kam dalë nga ritmi. Por stafi i Llapit është përkujdesur shumë, duke nisur nga Mentor Zhdrella, trajneri Tahir Batatina, Arsim Tërshani, Blerim Bunjaku. Ma kanë dhënë një energji të jashtëzakonshme. Më kanë kursyer, më kanë motivuar. Ishte sikur të rilindi. Këta kanë qenë këmbëngulës të kthehem. U kam thënë që të mos ngutem, të kthehem gradualisht, pasi lëndimet më kanë ardhur nga lodhja e madhe dhe rigjenerimi jo i duhur. Nuk kam pasur stërvitje ashtu siç duhet. Trajtimi është ndryshe te Llapi”, ka theksuar Januzi.

Tejkalimi i telasheve psikologjike e fizike

Januzi flet hapur për të kaluarën. Thotë se ka kthyer karrierën në rrugën e duhur.

“Jam rikthyer nga shumë telashe që kam pasur, si nga ana psikologjike ashtu edhe fizike, të cilat më kanë rrëzuar. Sot jam shumë mirë”.

Atij i është kthyer buzëqeshja.

“Trajtimi që më ka munguar diku tjetër, e kam gjetur te Llapi. Për shembull te Llapi nuk ka asnjë dëmtim. Arsim Tërshani katër faza përgatitore i ka udhëhequr dhe nuk ka asnjë të lënduar. Menaxhimi është i mirë edhe nga trajneri Tahir Batatina. Kam respekt të veçantë për klubin. Ecuria e stërvitjeve ka qenë nivel tjetër. I falënderoj shumë”, ka deklaruar Januzi. “Te Llapi ndihem si në shtëpinë time. Kam raporte të jashtëzakonshme me trajnerin Tahir. Jo vetëm me trajnerin, por edhe të tjerët. Kujdesi ndaj lojtarëve nga ana e trajnerit dhe të tjerët është tjetër nivel. Këtë e dinë të gjithë”.

Ai vazhdon të flas për formën që po kalon në Superligë. Meritat i shpërndanë.

“Suksesi është i përbashkët, jo vetëm i imi. Gjithmonë ambiciet e klubit i kam vendosur para arritjeve personale. Dëshira është të shënosh gola, kjo është normale, por në radhë të parë janë rezultate dhe arritja e qëllimeve që kemi si klub”.

Qartë që qëllimi është titulli i kampionit – trofeu i vetëm që i mungon Llapit dhe Januzit.

“Ambiciet i kemi për t’u shpallur kampion. Kemi skuadër shumë cilësore. Kemi lojtarë të talentuar e po ashtu edhe të pjekur. Arianit Hasani po zhvillohet si lojtar. Diar Vokrri që luan me U21, Lulzim Peci, Mërgim Cërnavërni, i cili ka cilësi të jashtëzakonshme. Është pastaj Elvir Gashjani. Ka grup cilësor të lojtarëve”, ka thënë sulmuesi me përvojë.

Llapi është në vendin e tretë me 13 pikë. Një pikë më shumë në vendin e parë e ka Malisheva.

Llapi në vitet e fundit vlerësohet prej klubeve më të organizuara. Lufton gjithnjë për trofe.

“Kampionati është i vështirë në Kosovë. Duhet të mos japim shumë fjalë, por qartë që qëllimi është titulli. Atë do ta kërkojmë ndeshje pas ndeshjeje”, ka thënë Januzi.

Vorskla refuzoi ofertën e Hannoverit

Januzi shumë vjet më parë bëri karrierë të suksesshme në Ukrainë. Atëbotë kampionati ukrainas ishte goxha i vlerësuar. Ai për Vorska Potlavën shënoi 34 gola dhe asistoi 17 herë në 201 ndeshje.

Gjatë kohës sa ishte pjesë e Vorsklas, Januzi ftohej nga Shqipëria. Për Shqipërinë ka luajtur tetë ndeshje. Është i kënaqur me arritjet në karrierë.

“Kam pasur karrierë të suksesshme. Kam dalë herët në pah si lojtar. Kam arritur të luaj në kombëtare, jam zhvilluar edhe si lojtar. Në Kosovë kam dalë në kupa evropiane. Kam bërë shoqëri të mirë dhe nuk jam pishman aspak”, thotë Januzi me mburrje.

A ka mundur të arrijë më shumë?

“Mendoj se po. Kam pasur cilësi, por ashtu ka qenë e shkruar. Kam pasur mundësi, nuk më kanë munguar ofertat, por nuk kthej kokën prapa”, thotë ai.

Januzi zbulon edhe ofertën që kishte marrë ekipi i Vorsklas nga Hannoveri, atëbotë pjesë e Bundesligës gjermane.

“Gjatë kohës sa kam qenë në Vorskla, kam pasur ofertë nga Hannoveri i Bundesligës e po ashtu edhe në Ukrainë nga klube tjera, por klubi nuk më ka lëshuar. Kemi pasur respekt reciprok. Hannoveri ka dërguar ofertë zyrtare. Atëbotë ka qenë pjesë e Hannoverit edhe Altin Lala. Kemi pasur ndeshje kundër tij, por klubi im nuk ka dashur të më lëshoj”, ka zbuluar Januzi.

Kur flet për arritjet dhe sfidat, nuk harron ta përmend menaxherin e futbollit, Nexhmedin Haxhiun. Thotë se ka merita të mëdha për të dhe shumë lojtarë të tjerë që kanë dalë nga Kosova në klube të ndryshme evropiane.