Një hulumtim ka nxjerrë në pah pretendime të reja për mënyrën se si prokuroria e shtetit kishte trajtuar ankesat e Valbona Nrecaj gruas e cila mbrëmjen e 7 gushtit u vra së bashku me vajzën e saj.

KALLXO.com ka zbuluar se Valbona ishte ankuar në maj të këtij viti në prokurorinë e Gjakovës duke pretenduar se burri i saj e kishte dhunuar edhe seksualisht gjatë  jetës së tyre. Zbulon se deklarata e saj nuk është pjesë e diapozitivit të aktakuzës në të cilin Pjetër Nrecaj akuzohet vetëm për lëndim trupor.

Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare u qëlluan për vdekje në mbrëmjen e 7 gushtit, ndërsa i dyshuar për këtë është Pjetër Nrecaj, ish-bashkëshorti i viktimës. Megjithatë, dhuna në këtë familje ishte raportuar edhe në maj të këtij viti nga Valbona Nrecaj, që më pas Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Nrecaj, për veprën penale lëndim të lehtë trupor.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e cila e ngarkon Pjetër Nrecaj me akuzën për lëndim të lehtë trupor ndaj Valbona Nrecaj, ish-bashkëshortes së tij. Këtë aktakuzë e kishte përfaqësuar prokurorja Mone Syla. Në lidhje me këtë rast, ndaj të akuzuarit Pjetër Nrecaj ishte shqiptuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.

Në deklaratën e dhënë në prokurori, e cila përshkruhet në këtë aktakuzë, Valbona Nrecaj kishte deklaruar se burri i saj kishte kryer me dhunë marrëdhënie seksuale me të.

“Ai gjithmonë ka kërkuar të ketë marrëdhënie seksuale pavarësisht prej meje se a jam e sëmure, a jam me vullnet, dua apo nuk dua, kam qenë e detyruar që t’i nënshtrohem kërkesës së tij për marrëdhënie edhe atëherë kur unë e kam kundërshtuar, ai këtë proces e ka kryer ndaj meje dhunshëm”, kishte deklaruar viktima Valbona Nrecaj para prokurores.

Mirëpo, vëren se askund në aktakuzë nuk përshkruhet nëse prokurorja e rastit, Mone Syla kishte ndërmarrë ndonjë veprim për të hetuar këtë deklaratë të Valbona Nrecaj.

Me një kërkesë zyrtare KALLXO.com, ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të trajtoj mos hetimin e kësaj deklarate të viktimës Valbona Nrecaj nga prokurorja Mone Syla.

KALLXO.com ka pranuar një njoftim nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në të cilën thuhet se informatat në lidhje me mostrajtimin e deklaratës së viktimës, Valbona Nrecaj nga prokurorja e rastit ishin të sakta.

“Ju njoftoj se unë sot i kam pranuar shkresat e lëndës të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kundër të pandehurit Pjetër Nrecaj dhe pas shikimit të tyre, kemi gjetur se të dhënat e ofruara nga ana juaj përmes emailit janë plotësisht të sakta”, thuhet në përgjigjen e prokurorit Besim Kelmendi nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas njoftimit të prokurorit Besim Kelmendi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do të njoftoj Këshillin Prokurorial, gjegjësisht Njësitin për vlerësim të përformancës së prokurorëve në lidhje me këtë rast.

“Lidhur me ketë rast, ne do të njoftojmë edhe Njësitin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për vlerësimin e përformacës së prokurorëve”, thuhet në përgjigjen e prokurorit Besim Kelmendi.

Më tej, Besim Kelmendi ka njoftuar KALLXO.com se për këtë rast kanë kërkuar nga prokurorja Mone Syla që të shyrtohet mundësia e ndryshimit të aktakuzës ndaj të pandehurit Pjetër Nrecaj.

“Ju njoftoj se Zyra jonë ka kërkuar nga prokurorja e rastit që të shqyrtoj të gjitha mundësitë ligjore që gjatë shqyrtimit gjyqësor, të ndryshoj aktakuzën e ngritur kundër të pandehurit Pjetër Nrecaj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me prokuroren e rastit, Mone Syla, e cila ka deklaruar se ishte e vetëdijshme për deklaratën e Valbona Nrecaj për marrëdhënie seksuale të kryera me dhunë nga ish-bashkëshorti i viktimës, por se sipas saj, nuk ka asnjë ekspert që do të vërtetohen një gjë e tillë.

“Cili ekspert në botë mundet me konstatu një ekspertizë të dhunës seksuale kur ajo pretendonte se bashkëshorti ka kryer marrëdhënie me dhunë për 16 vjet, por asnjëherë se ka tregu kohën as mënyrën dhe as nuk e ka paraqitur rastin, por vetëm se ka pas raste gjatë martesës”, deklaroi prokurorja Mone Syla.

Sipas prokurores, për shkak të pamundësisë për të vërtetuar, ajo nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim shtesë për të hetuar pretendimin e viktimës Valbona Nrecaj, për marrëdhënje seksuale më dhunë të kryera ndaj saj nga ish-bashkëshorti Pjetër Nrecaj.

Më tej prokurorja Mone Syla deklaroi se si prokurore i trajton me prioritet të gjitha rastet e dhunës në familje dhe se këtë rast e ka trajtuar me kujdes.

“Të gjitha lëndët e dhunës në familje, jo vetëm këtë rast, unë i trajtoj me prioritet”, u deklarua prokurorja Mone Syla.

Valbona Nrecaj u qëllua për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit pesë orë më herët ajo kishte njoftuar policinë për kërcënimet që po i bëheshin nga ish bashkëshorti. Inspektorati Policor është duke hetuar nëse policia kishte mbrojtur në masën e duhur viktimën.