Policia e Kosovës ka intervistuar disa dëshmitarë e ka paralajmëruar edhe intervistimin e të tjerëve lidhur me vdekjen e 35-vjeçares në Suharekë. Familjarët raportuan se e njëjta u rrëzua nga shkallët, por pas analizimit të vendit të ngjarjes, Policia dyshon se e njëjta ra nga ballkoni i shtëpisë, në lartësi rreth gjashtë metra. Nga Spitali i Prizrenit kanë thënë se e njëjta ka është dërguar pa shenja jete, e Prokuroria s’është përgjigjur.

 

Një 35-vjeçare me inicialet D.K, ka vdekur dje në Suharekë pasi dyshohet se ka rënë nga ballkoni i shtëpisë së saj, në lartësi rreth 6 metra. Rastin e kanë raportuar në Polici familjarët e saj, sipas të cilëve, e njëjta ishte rrëzuar nga shkallët në rrethana të panjohura.

Por, pas shikimit të vendit të ngjarjes, dyshimet e Policisë janë se e njëjta ka rënë nga ballkoni.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i ka thënë Gazetës Express se viktima ka vdekur në Spitalin e Prizrenit.

“Viktima është dërguar emergjencë, në ora 11:50 policia është njoftuar se viktima kishte ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Njesitet përgjegjëse policore kanë dal në vend ngjarje dhe janë marrur me rastin. Në lidhje me këtë rast, në koordinim me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krimeve të Rënda janë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore. Është bërë shiqimi i vendit të ngjarjes dhe dyshohet se viktima ka rënë nga ballkoni i shtëpisë në lartësi rreth 6 metra”, ka deklaruar Bytyqi.

I njëjti sot ka deklaruar se tashmë janë kryer intervistimet e disa dëshmitarëve, e ka paralajmëruar edhe intervistimin e disa të tjerëve.

“Janë intervistuar dhe do të intervistohen të gjithë dëshmitarët që hetuesit dhe prokuroria e shohin të arsyeshme”, ka thënë Bytyqi për Express.

Ai ka bërë me dije se viktima nuk ka qenë e martuar e nuk ka pasur fëmijë.

Ndërkohë, nga Spitali Rajonal i Prizrenit kanë thënë për Express se 35-vjeçarja është dërguar në spital pa shenja jete.

“Sipas mjekëve kujdestarë, pacientja ka ardhur pa shenja jete”, janë deklaruar shkurtimisht për këtë rast nga Spitali.

Gazeta Express ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore të Prizrenit për këtë rast, por deri në momentin e publikimit të tekstit, s’ka marrë përgjigje.

Rastin mbrëmë e ka konfirmuar Bytyqi.

“Me datën 01.10.2024 , pak pas orës 11:00 policia ka marr njoftimin se në fshatin Krushic e epërme të Suharekës një femër rreth 35 vjeçarr ( D. K.) në rrethana të pa njohura për momentin ishte rrezuar nga shkallet dhe ishte pa ndjenja. Viktima ështe dërguar emergjencë, në ora 11:50 policia është njoftuar se viktima kishte nderruar jetë ne Spitalin Rajonal të Prizrenit . Njesitet përgjegjëse policore kanë dal në vend ngjarje dhe janë marrur me rastin.

Në lidhje me këtë rast, në koordinim me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krimeve të Rënda janë ndërmarr të gjitha veprimet hetimore. Është bërë shiqimi i vendit të ngjarjes dhe dyshohet se viktima ka rënë nga ballkoni i shtëpisë në lartësi rreth 6 metra. Me urdhër të Prokurorit është inicuar rast “Hetim i vdekjes”, trupi i pa jetë i të ndjerës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka deklaruar ai.