Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj R.J, të dyshuar për “dhunë në familje”.
Ai dyshohet se më 8 gusht ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij, me të cilën bashkëjeton.
Prokuroria ka dhënë detaje rreth rastit.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit R.J.,për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me datë 08 Gusht 2024, rreth orës 07:30 në Ferizaj, rruga, “Gëzim Sahiti”, përkatësisht në një market, i pandehuri me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe cenimit të dinjitetit ndaj të dëmtuarës-dashurës së tij B.B., me të cilën bashkëjeton, ka ushtruar dhunë fizike në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të ndodhur aty për aty rreth daljes së të dëmtuarës nga shtëpia, më pas e godet njëherë me grusht në anën e majtë të fytyrës, e kap për flokë duke e tërhequr zvarrë derisa e rrëzon dhe e godet njëherë me shqelm pas kokës, me të cilën ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”, nga neni 248 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Nga 12 gushti, i dyshuari ndodhet në ndalim.
“I pandehuri që nga data 12 Gusht 2024, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.”