Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë konfirmuar se taksa ndaj Serbisë pritet të hiqet duke u zëvendësuar me reciprocitet.
Deputetja e kësaj partie, nga rajoni i Gjilanit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka deklaruar se heqja e taksës pason edhe me uljen e pagës së kryeministrit.
“I pari kryeministër që ndër vendimet e para të tij, vendos uljen e pagës së vet dhe kabinetit të tij. Për dallim të atij tjetrit që ia bëri vetes pagën 3000 euro, me arsyetimin se sa më e lartë paga, mundësitë me vjedhë më të vogla. Ama paska edhe pagë të ulët edhe dinjitet për shtet. Edhe tarifa po hiqet. Shkojmë me reciprocitet”, ka shkruar ajo.
Si udhëheqës i ekzekutivit Kurti do të marrë pagë mujore prej 2950 euro.
Së paku deri në muajin prill, Kurti do mare këtë pagë, ku më pas do të dihet saktësisht se çfarë do të ndodhë me Ligjin e Pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.