Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, të dyshuarit dalin të jenë persona me të cilët kanë krijuar raporte të afërta. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person.

Këtë herë, viktima është shtetase e huaj, e cila po dyshohet se u sulmua seksualisht nga kosovari, të cilin e denoncoi në Polici.

Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për një 27-vjeçar, i cili përfundoi në prangat e Policisë gjatë ditës së djeshme, por prokurori vendosi ta lë të lirë.

I dyshuari (emër i njohur për redaksinë) fillimisht e kishte marrë viktimën në aeroport, pasi ajo erdhi në Kosovë dhe bashkë me të shkuan në një motel – por që aty nisi sherri.

Sipas informacioneve të para, mes tyre plasi një konflikt dhe nga aty u larguan, për të vazhduar në Parkun e Gërmisë, ku dyshohet se ndodhi rasti i sulmit seksual.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i riu po dyshohet se e ka sulmuar seksualisht viktimën, duke e prekur në pjesë intime, pa dëshirën e saj.

Denoncimi i rastit e aktivizoi Policinë, me ç’rast i dyshuari u prangos dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe hetimin në procedurë të rregullt.