“E shtuna me matematikë” është kursi i cili ka filluar të mbahet falas për nxënësit e ciklit të ulët (1–5), në shkollën fillore “Ibrahim Rugova” që nga tetori i këtij viti. Dy nxënës të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” janë ata të cilët kanë marrë këtë iniciativ vullnetare për të mësuar matematikën e përditshme nxënësve llapjan.

Njëri prej organizatorëve të këtij kursi, i njohur për portalin Llapi.info por i cili nuk ka dashur të identifikohet për publikun, ka treguar se kursi i matematikës mbahet çdo të shtunë dhe është pa pagesë.

“Unë së bashku me një shok timin kemi marrë një iniciativë, e cila ka gjetur përkrahjen e profesorëve tanë, drejtorisë së Arsimit në Podujevë për organizimin e një kursi të matematikës pa pagesë çdo të shtunë për nxënësit nga klasa 1-5. Qëllimi i këtij kursi është të ndihmojë nxënësit në të kuptuarit e zbatimit të matematikës në jetën e përditshme”, ka thënë ai për Llapi.info.

Ai ka treguar se interesimi i nxënësve për këtë kurs ka qenë i madh, por ata nuk kanë mundur të regjistrojnë më shumë se 100 nxënës.

“Këta 100 nxënës janë të ndarë në katër grupe me nga 25 nxënës dhe vijnë nga të gjitha shkollat e Podujevës. Një grup mbanë mësim një orë. Prindërit janë shprehur të kënaqur me këtë iniciativë”, ka shtuar nxënësi.

Sipas tij, kursi do të vazhdojë deri në fund të këtij viti. Por, ka gjasa që ky kurs të mbahet edhe në vitin 2016./Llapi.info

12107171_1210941215600369_8203043701349890796_n

12308568_1210941208933703_1236614150310538100_n

12313792_1210941212267036_2115579990754852683_n

12341543_1210941205600370_4612436540496989476_n