Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Fushë Kosovë, ku një 14-vjeçare po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.

Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me vajzën e saj, ajo e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.

Bazuar në informacionet e para, sherri mes tyre plasi pas një mosmarrëveshje verbale, por që eskaloi papritmas.

Si rezultat i denoncimit, Policia e ka shoqëruar të miturën në stacion policor, ku u intervistua në prani të nënës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas përfundimit të procedurave, e mitura është ndaluar për 24 orë.