Pasi dështoi së ndërtuari dy herë “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, sivjet priten të nisin zyrtarisht punimet e para, njofton Llapi.info

Kështu ka thënë në dëgjimin publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2020/22 drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Hamdi Jaha.

Sipas tij, buxheti i kësaj drejtorie për vitin 2020 do të jetë i fokusuar në këtë shesh. Këto komente Jaha i ka bërë kur banorë të shumtë kërkuan asfaltime rrugësh nëpër fshatra të ndryshme të kësaj komune.

Përfaqësues të fshatrave dhe banorët kanë kërkuar asfaltime të rrugëve, ku disa prej tyre ishin lënë në gjysmë, e disa ende s’kanë filluar, ani pse sipas tyre, u ishin premtuar.

Drejtori Jaha, duke folur për buxhetin i cili do të jetë i vogël për investime nëpër fshatra, ka thënë se krejt kjo do të ndodhë për shkak të ndërtimit të sheshit, i cili sipas tij, fillon së ndërtuari sivjet.

“Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë më i cunguar, për shkak se ne në vitin e ardhshëm e kemi sheshin e qytetit, i cili merr buxhet jashtëzakonisht më të madh se që kemi paramenduar. Është bërë projekti, dhe ne sivjet e fillojmë sheshin e qytetit, por duhet të ndahet buxheti i cili së paku ndahen edhe dy milionë euro për vitin e ardhshëm, kështu që është buxheti është i cunguar për vitin tjetër, por ne do të bëjmë përpjekje maksimale me ministritë dhe buxhetin që kemi për të trajtuar buxhetin në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne jemi me ju bashkë, por të keni mirëkuptim dhe mundësi, ato fshatra që ne nuk ua kemi shtrirë dorën që vitin e ardhshëm me buxhetin të cilin e kemi pak më të vogël për shkak të sheshit. Jam i gatshëm në çfarëdo kohe dhe forme me punua me ju”, ka thënë Jaha.

Se që buxheti do të jetë i vogël për fshatra e ka thënë edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

“Për vitin 2020 buxheti më i madh se në vitin 2019, për gati 2 milionë euro. Por, cungim të buxhetit siç e pat fjalën edhe drejtori do të ketë për projekte nëpër fshatra. Kjo, pasi që shumica e buxhetit për investime kapitale nga Drejtoria e Urbanizmit do t’i ketë në qytet, për shkak të rëndësisë së sheshit”, ka thënë Rudari.

Ndryshe, punimet për ndërtimin e “Bulevardit të Dëshmorëve”, ishin paraparë të nisin viteve paraprake, por pjesa më madhe e mjeteve për këtë shesh ishin rialokuar për ndërtimin dhe asfaltimin e disa rrugëve në qytet dhe fshatra të Komunës.

LEXO EDHE: Dështon për të dytën herë ndërtimi i sheshit të Podujevës

Ndërkohë, partitë opozitare në Podujevë dështimin e këtij projekti për dy vitet radhazi, e kanë cilësuar si projekt të rremë dhe të përdorur për fushatë elektorale.

Më 5 prill të vitit 2018, Komuna e Podujevës pati hapur tenderin për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e sheshit, ku vlera e parashikuar ishte 3.233.887,25./Llapi.info



LEXO EDHE: Drejtori i Urbanizmit tregon arsyen për mos nisjen e ndërtimit të sheshit në Podujevë