Ndonëse tri ministrit të Qeverisë së Kosovës kishin nënshkruar memorandum për rrënimin e objektit ku kryen veprimtarinë Qendra burimore “Xheladin Deda” në Pejë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Tekonologjisë thotë të ketë marrë informatë jozyrtare për këtë iniciativë.
Megjithatë, kjo Ministri ka dal kundër rrënimit, duke shpreh shqetësimin e vet.

MAShT thotë se qendra për arsim dhe këshillim për nxënësit e verbër dhe gjysmë të verbër “Xheladin Deda”, është në kompetencë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila do të trajtojë këtë çështje bashkë me palët e përfshira në këtë proces.

“MAShT do të gjejë zgjidhjen e duhur dhe në rend të parë do të merren parasysh specifikat e fëmijëve të verbër në mënyrë që ata të vazhdojnë edukimin dhe arsimin e tyre bazuar në nevojat që kanë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, siguron prindërit dhe fëmijët se në bashkëpunim edhe me palët tjera, do të sigurojë kushtet fizike dhe gjithçka që lidhet me pajisjet dhe shërbimet që duhet të ofrojë Qendra burimore. Ajo do të jetë funksionale dhe në shërbim të fëmijëve dhe prindërve të tyre. Sapo të merren informatat zyrtare, MAShT do t’iu njoftojmë për hapat konkret që do të ndërmarrë në lidhje me çështjen në fjalë”, thuhet në komunikatën e MAShT-it.

Rrënimin e objektit në Pejë po e kundërshtojnë edhe shoqëria civile e drejtuesit e shkollës. Objekti i vjetër më shumë se 100 vjet dhe me histori më vete rrezikon të rrënohet.

Kur u ndërtua menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, fillimisht u shfrytëzua nga ushtria e më pas nga dogana. Më vonë, objekti u shndërrua në Spital të përgjithshëm të qytetit të Pejës. E tash e 40 vjet, kjo ndërtesë ka një mision mjaft të veçantë, atë të shkollimit dhe këshillimit për nxënësit e verbër.

Por, Ministria e Drejtësisë ajo e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Administratës nuk i morën parasysh vlerat dhe rëndësinë e kësaj shkolle të vetme në Kosovë, kur para një viti, përmes një memorandumi të bashkëpunimit, vendosën ta rrënonin atë për të ndërtuar një objekt të ri për Gjykatën Themelore të Pejës.

Kundër kësaj iniciative ka reaguar edhe Sindikata e Arsimit, e cila, përmes një komunikate, kanë bërë thirrje që objekti i gjykatës të ndërtohet diku tjetër e jo në këtë parcelë.