Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur për idenë e Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufjive, duke e përfshirë Luginën e Preshevës.
Krasniqi ka dalë kundër idesë së Thaçi duke e mbështetur kështu Kryetarin e PDK-së.
Ai ka thënë se qëndrimi i partisë rreth çështjes së dialogut është shprehur saktësisht nga Kryetari Kadri Veseli.
“Qëndrimi i PDK-së për çështjet rreth dialogut është shprehur saktësisht nga ana e Kryetarit Veseli dhe këtë qëndrim e mbështesim të gjithë”, ka thënë ai shkurt për Gazeta Blic.
Kujtojmë që Kryeparlamentari dhe njëherit Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se nuk s’do të ketë ndarje të Kosovës, dhe se kjo nuk do të jetë asnjëherë as temë në tavolinën e bisedimeve në dialogun që po zhvillohet me Serbinë në Bruksel.
“Ne do të shkojmë në bisedime. Debati që është ngjallur është më tepër një garë elektorale dhe nuk është duke i kontribuar rrugës tonë drejt integrimit. Është duke krijuar një frikë të paqenë. Dialogu do të thotë siguri për qytetarët tanë, gjeneratat e ardhshme. Dhe në të njëjtën kohë ne nuk kemi pasur kurrë partner më të mirë sesa BE dhe Kosovën tonë askush nuk do ta cenoj”, ka thënë Veseli në një konferencë për media.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë idenë e ndarjes së vendit në bazë të vijave etnike për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Serbinë.
Thaçi tha se nuk do të ketë “ndarje por korrigjim të kufijve”, mundësisht duke e përfshirë Luginën e Preshevës. Ai nuk tha nëse kjo nënkuptonte një shkëmbim me Mitrovicën e veriut, ku jetojnë shumica e serbëve të Kosovës.
Presidenti është shprehur i bindur se negociatat me Serbinë, nën udhëheqjen e BE dhe të vëzhguara nga afër edhe nga Shtetet e Bashkuara, do të rezultonin së shpejti me një njohje dypalëshe.
“Nëse korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi dhe një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke arrihen, nëse një marrëveshje e tillë është e balancuar dhe bilaterale, kjo do të ishte një fitore e favorshme për të dyja palët, ku të gjithë do të pajtoheshin”, shtoi Thaçi.
Kundër ndarjes së territoreve dhe ndryshimit të kufijve janë deklaruar edhe Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, si dhe partitë opozitare.