Stina e pranverës përveç që ka lulëzuar pemët, kësaj here ka lulëzuar edhe asfaltin nëpër disa Komuna të Kosovës, shkruan Llapi.info
E, njëra prej tyre është edhe Komuna e Podujevës, gjegjësisht në rrugën “Bekim Lushaku” në lagjen e Rakinicëve në një rrugicë afër fshatit Balloc.
Sipas banorëve të cilët edhe kanë dërguar fotografi në Llapi.info, rruga është e gjatë rreth 120 metra dhe nuk ka shumë kohë që është asfaltuar. Ndërsa, tani problem për ta po del edhe vrimat nga të cilat kanë filluar të dalin barishte të ndryshme.
Mirëpo, ky fenomen ka filluar të bëhet përditshmëri në rrugët dhe asfaltin e Kosovës me ardhjen e stinës së pranverës. Në disa Komuna asfalti është çarë dhe ka filluar të lulëzojë. E për këtë kanë reaguar edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Milaim Zeka, kishte postuar fotografi ku asfalti kishte çelur në fshatin në Gllogjan.
“Pamje nga rrugët e fsh. Gllogjan. Po me pyet një qytetar: A ju vjen marre more? Para pese muajsh u shtru ky asfalt, shikojeni sot”, pati shkruar Zeka.
Por, as ky rast nuk ishte i fundit. Çelja e asfaltit filloi edhe në Komunën e Vushtrrisë, Shtimes, Klinës, Deçanit, Gjilanit e së fundi edhe në Podujevë./Llapi.info