Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe e ka denoncuar atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre, në sy të fëmijëve.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe raste të tilla kanë qenë të shpeshta edhe në të kaluarën.

Pas raportimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Dhunë në familje”.