Më 29 janar të këtij viti, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje të pagave.
Kjo pasi deputetja pretendon se vendimi nga Haradinaj është shkelje e Kushtetutës.
Por, edhe pas më shumë se katër muajsh Kushtetuesja ende nuk ka vendim për këtë çështje.
Në një përgjigje për lajmi.net, kjo Gjykatë ka bërë të ditur se për rritjen e pagave nga Haradinaj ende nuk ka ndonjë vendim.
“Gjykata ende nuk ka marrë vendim në këtë rast. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira në rast dhe vendimi do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigje.
Lajmi.net tutje ka kërkuar përgjigje nga kjo gjykatë për arsyet e vonesës së këtij vendimi, por zyra për media e Kushtetueses nuk është përgjigjur në këtë pyetje.
Vendimi i Haradinajt për rritjen e pagave është pezulluar për momentin, deri sa të ketë një përgjigje nëse ka shkelje të Kushtetutës së vendit.
Mirëpo rritjen e pagave nga kryeministri si konflikt interesi e kishte cilësuar Agjencia Kundër Korrupsionit.
Në një opinion të publikuar kohë më parë theksohej se vendimi ishte i kundërligjshëm.
“Agjencia Kundër Korrupsionit rekomandon që vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionit tjetër relevant në fuqi”, thuhej në vendimin e AKK-së.
Ndryshe me vendimin e Haradinajt, atij si kryeministër do t’i dyfishohej paga. Kurse rritje do të kishin edhe shumica e anëtarëve të kabinetit qeverisës.