Kryeministri Edi Rama mbajti këtë pasdite një fjalim nga Sheshi Skënderbej, teksa tashmë numërimi i votave është drejt fundit dhe fituese ka dalë Partia Socialiste, transmeton Gazeta Sinjali.
Teksa falënderoi skuadrën e tij dhe ata që e votuan më 25 prill, Rama u shpreh se “ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend”, shkruan balkanweb.
“Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e PS. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo. Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për cdo vajzë e djalë, grua e burrë, që u angazhua si patronazhist, koordinator, drejtues, në këtë fushatë spektakolare dhe që dha më të mirën e vet për skuadrën tonë, kampione në fuqi. Por, më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që me urtësi e vendosmëri, vendosën me votën e tyre në një moment kaq sfidues për Shqipërinë. Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi”, tha Rama.
Tutje Rama tha se dëshiron të jetë kryeministër i të gjithë shqiptarëve.
“Fitorja jonë e madhe nuk na bën më të vogël, por më të madh dhe t’i shtrijmë dorën bashkëpunimit të sinqertë pa asnjë paragjykim dhe kufizim Partisë Demokratike. Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i socialistëve, por edhe i demokratëve, jo vetëm i atyre që votuan, por ata që nuk votuan fare” .