Mesfushori i krahut, Edon Sadriu, është larguar nga klubi llapjan, shkruan Llapi.info.
Klubi nga “Zahir Pajaziti”, ka bërë të ditur se futbollisti e kërkoi vetë largimin para ndeshjeve evropiane.
“Faleminderit kampion. Pas dy vitesh bashkëpunimi, KF Llapi dhe mesfushori i krahut, Edon Sadriu ndajnë rrugët. Me rastin e mbylljes së bashkëpunimit, KF Llapi falënderon mesfushorin Edon Sadriu për kontributin e dhënë gjatë dy viteve, si dhe i dëshiron shëndet, fat dhe shumë suksese në vazhdim të karrierës”.
“Doni u bashkua me klubin gjatë vitit 2020 dhe u paraqit në gjithsej 74 ndeshje përfshirë: 61 ndeshje në Superligë, 10 ndeshje në Kupë, 2 ndeshje në UEFA Conference Ligë dhe 1 ndeshje në Superkupë duke arritur shifrën e 9 golave e 7 asistimeve në gjithsej 3.533 minuta të luajtura. Doni me KF Llapin gjatë dy viteve arriti të fitoj 2 herë Kupën e Kosovës dhe 1 herë Superkupën”.
“Ai kishte kontratë me klubin deri pas ndeshjeve të Evropës, por dëshira e tij ishte ta vazhdonte karrierën diku tjetër dhe klubi me mirëkuptim e pranoi dëshirën e tij. Suksese Edon!”, thuhet në kumtesën e Llapit.
“Mirupafshim Podujevë. Përshëndetje, desha t’ju informoj që prej ditës së sotme nuk jam më pjesë e klubit futbollistik, K.F. Llapi.
“Tri trofe në Podujevë, dy Kupa të Kosovës dhe një Superkupë, shpresoj të jenë të mjaftueshme për këto dy vite sa kalova këtu”.
“Dua ta falënderoj kryesinë e klubit për korrektësinë ndaj meje, stafin për mbështetjen, bashkëlojtarët për momentet që i kaluam së bashku dhe tifozerinë ‘Legjendat’ për përkrahjen e dhënë. I juaji Edon Sadriu”, ka shkruar mesfushori./Llapi.info
15