Ahmeti Isufi, nënkryetar i AAK-së në një intervistë për Gazetën “Zëri”, ka folur në lidhje me çështjen e kufijve me Serbinë dhe mundësinë e protestave që opozita ka paralajmëruar.

Tutje ai flet edhe për ekipin negociator të cilin Opozita e ka kundërshtuar.

Zëri: Opozita ka paralajmëruar protesta për ta ndalur presidentin Thaçi për ta diskutuar çështjen e kufijve me Serbinë. Si e shihni këtë veprim të opozitës?

Isufi: Ne kemi kërkuar që të bëhet një ekip i përbashkët që do ta pamundësonte edhe presidentin Thaçi, për të cilin po lidhen shumë. Ne vërtet kemi dashur ta bëjmë një ekip që përfaqëson interesat e Kosovës dhe vepron në bazë të këtyre interesave duke u bazuar në Kushtetutën. Por kjo si po duket është lojë dhe normalisht protestat janë të ligjshme, sepse ka pasur edhe në të kaluarën, ato duhet të bëhen konform situatës, në mënyrë që të mos bëhen dëme. Protestat janë të mundshme, legjitime dhe mund t’i mbajnë.

Zëri: Ekipi negociator i propozuar nga Qeveria e Kosovës ka hasur në kundërshtimin e madh të opozitës, pse ka ndodhur kjo?

Isufi: Partitë opozitare kanë kërkuar që Qeveria ta udhëheqë dialogun, por kryeministri Haradinaj është deklaruar me kohë që do të punojë në çështje të brendshme të shtetit dhe nuk ka kohë të merret me çështje të tjera. Prandaj e ka ofruar ekipin në nivelin më të lartë qeveritar, duke ia mundësuar edhe opozitës të jetë pjesë e angazhimit. Kosova është e të gjithëve dhe duhet të përfaqësohet në mënyrë sa më të denjë, mirëpo opozita e vendit për shkak të interesave të ngushta politike nuk e ka përkrahur iniciativën tonë.

Zëri: Nëse një ekip i tillë do të kalojë në Kuvend, a do të jetë pjesë e nivelit të dialogut teknik apo politik?

Isufi: Niveli teknik është tjetër nivel, kemi përfaqësues Avni Arifin. Ai në fazën e kaluar ka qenë atje dhe ka biseduar për marrëveshjet e arritura, ku shumica e tyre nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë. Pra, çështje teknike të dialogut, ndërsa misioni i tashëm i ekipit negociator të propozuar nga Haradinaj është krejtësisht politik, është për të biseduar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke përfunduar me njohje reciproke.

Zëri: Po nëse nuk votohet ky ekip si do të veprohet?

Isufi: Qeveria e Kosovës i kryen punët e saj normalisht, edhe në raportin ndërkombëtar nuk mbetemi keq, sepse Qeveria e ka Ministrinë e Jashtme, ka zëvendëskryeministra që merren me politikën e jashtme, edhe kryeministri aktivizohet kur është nevoja, edhe presidenti, edhe kryetari i Kuvendit, pra të gjitha institucionet e vendit funksionojnë. E mira do të ishte që në këtë fazë, pasi që është dialogu përfundimtar dhe e vetmja temë, do të duhet të ishte njohja e përbashkët në mes të dy vendeve.

Normalisht që ka edhe tema të tjera dhe ndoshta duhet të kalojnë edhe 20 vjet për t’u zgjidhur, sepse Serbia i ka shumë borxh Kosovës në shumë tema të pazgjidhura.