Kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka bërë të ditur se Grupi i Asambleistëve, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Podujevës, për të marrë vendim për ndarjen e pakove ushqimore për familjet skamnore llapjane, raporton Llapi.info.
Në njoftimin e tij, Hyseni thotë se kjo nismë e tyre është mbështetur edhe nga asambleistët Burimi dhe Arbnori nga AAK dhe Gazi, kryetari i Ballit Kombëtar.
Shkrimi i plotë i Ekrem Hysenit:
Të nderuar qytetarë,
Sot, si LDK përmes Grupit tonë të këshilltarëve kemi marrë një iniciativë të domosdoshme për kohën, duke thirrë një Seance të Jashtëzakonshme të Kuvendit për ndarjen e mjeteve buxhetore për pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë.
Nisma jonë është mbështetur edhe nga asambleistët Burimi dhe Arbnori nga AAK dhe Gazi, kryetari i BKD, të cilët i falënderoj shumë.
Kjo iniciativë vjen si rezultat i situatës së rënduar ekonomike, e sociale me të cilën po përballen qytetarët tanë si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve që përbëjnë shportën familjare.
Ftoj të gjithë asambleistët që ta mbështesin iniciativën tonë dhe qeverisjen lokale që të bashkëpunoj në jetësimin e saj para fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit!
I juaji, Ekrem Hyseni