Kryetari i Lidhjes Demokratike dega në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka reaguar pas ndalimit të ceremonisë për nisjen e objektit të ri të shkollës ekonomike “Isa Boletini”, në Podujevë.
Hyseni ka akuzuar Komunën e Podujevës për hajni.
Reagimi i plotë;
Këta vjedhin edhe në objekte shkollore
Më 6 qershor 2023 është nënshkruar kontrata për ndërtimin e shkollës Ekonomike “Isa Boletini” dhe punimet është dashur të përfundojnë brenda një viti.
Një vit pas, pushteti lokal e qendror vet paralajmëruan vënien e gurthemelit të shkollës “Isa Boletini”, vet e dështuan.
Anipse ndër kompanitë që kishin konkuruar kishte me çmim dukshëm më të lirë se sa kompania fituese, megjithatë komuna kishte shpallur fitues kompaninë, e cila ishte e shtata në rënditje për çmim më të lirë, e kriter i shpalljes ishte oferuesi më i lirë.
Në muajin gusht të 2023-tës, ishte marrë vendimi për pezullimin e aktivitetit të prokurorimit, pas ankesave që disa nga kompanitë tjera kishin parashtruar në OSHP. Si rrjedhojë e saj lënda kishte shkuar në rivlersim.
Por në shpërfillje të plotë nga kjo, Komuna e Podujevës vendosi ta nënshkruaj kontratën me operatorin më të shtrenjtë e që kushtonte hiç më pak se 617 mijë euro më shtrenjtë.
Tenderi për ndërtimin e shkollës “Isa Boletini”, është shpërfaqja faktike e një qeverisjeje të korruptuar fort dhe një keqpërdorimi flagrant, ku komuna vendoset komplet në favor të favorizimit dhe kurdisjes së tenderit.
Këtu dëshmohen qartë tendencat për zhvatje, përfitim e hajni të pastër.
Një gjë e tillë u shpërfaq sheshit e të gjithë e kuptuan se qeverisja LVV-së me në krye Shpejtim Bulliqin kanë shpejtuar të vjedhin në çdo mundësi edhe pak kohë sa u ka mbetur, madje nuk po kursehen as në objekte shkollore.
Për t’i vu kapak kësaj hajnie të pastër, kishte paralajmëruar ardhjen në Podujevë edhe Kurti e Nagavci, që t’i nisnin punimet e objektit që procedurën e kishte fund e krye te kurdisur.
Çdo gjë tashmë ishte e gatshme, të gjitha përgatitjet ishin bërë, por nuk erdhën kryeprotagonistët. Nuk erdhën sepse si opozitë bashkë me mediat zbuluam e paraqitëm në publik fakte që tregonin se ishte gjykata e themeluar në mandatin e Kurtit që e pezulloi këtë procedurë, por në shkelje të plotë të Këtij vendimi u shfaqën dyshja Bulliqi dhe Kurti.
Gjithmonë do të jemi të gatshëm që si LDK-Podujevë do të jemi në krye të detyrës në mbbrojtje të interesit qytetarë edhe atëherë kur buxhetin e Llapit tentojnë ta dëmtojnë qeveria lokale e qendrore.
Kjo përpjekje u ndalua sot, por nuk do thotë se u ndalua hajnia, por vetëm u parandalua ndaj do të jemi të vëmendshëm dhe të pakompromis në përballje me ta.
Hajnia e tyre përfundon, kur përfundon edhe pushteti i tyre.