Kryetari i Lidhjes Demokratike në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka bërë homazhe pranë varrezave të heronjvë në përvjetorin e clirimit të komunës sonë.
Në shkrimin e tij, Hyseni ka kujtuar edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Shkrimi i plotë:
Sot, më 19 qershor shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Podujevës.
Për Lirinë të cilën ne e gëzojmë qe 25 vjet, mirënjohës e falënderues përjetësisht ndaj të gjithë atyre që nuk kursyen jetën.
Sot, nderojmë trimat e Llapit e të Kosovës: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konushevci, Ali Ajeti, Agron Rrahmani e gjithsecilin që ra heroikisht, në luftën për liri e dinjitet.
Sot, i kujtojmë e nderojmë në liri ata që lirinë e deshën më shumë se jetën.
Pa ta, liria jonë do të ishte vetëm ëndërr.
Sot, po ashtu kujtojmë e nderojmë arkitektin e Republikës së Kosovës, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, politika e të cilit ishte siguria më e fuqishme se Kosova dhe qytetarët e saj do të rreshtohen një ditë krah popujve të lirë.
Të dashur miq,
25 vjet pas, secili nga ne duhet të kthehemi pas e të shohim se ku ishim dhe ku jemi.
Sot, duhet të reflektojmë, e më shumë se të reflektojmë duhet të punojmë e ta zhvillojmë Podujevën tonë, Kosovën tonë, ngase kjo është mirënjohja më e madhe ndaj atyre që u sakrifikuan për lirinë tonë.
Sot e çdo ditë, çdonjëri nga ne duhet të punojmë e ta zhvillojmë vendin tonë për hirë të atyre që e bën e të brezave që do vijnë.
Urime Podujevë 25 liri!