Një përleshje fizike ka ndodhur sonte rreth orës 19:00 në Podujevë, raporton Llapi.info.
Siç mëson ekskluzivisht Llapi.info, në këtë rrahje janë përfshirë një zyrtar komunal, gjegjësisht inspektori i pyjeve, Xhavit Avdiu dhe një anëtari të LDK-së nga fshati Siboc.
Llapi.info ka kontaktuar me inspektorin e pyjeve në Podujevë, Xhavit Avdiun, i cili duke e konfirmuar këtë rast, ka thënë se është sulmuar nga një anëtar i LDK-së.
“Po, është e vërtetë. Jam sulmuar nga një person, i cili i thotë vetit se është anëtar i LDK-së. Arsyet janë politike, ndërkohë që rastin e kam paraqitur në Polici dhe se kam pranuar tretman mjekësor. Nuk lidhet asgjë me punën time”, ka thënë Avdiu.
Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Kjo e fundit ka theksuar se i lënduari ka pranuar tretman mjekësor, teksa një i dyshuar është intervistuar.
“Sot rreth orës 19:00, policia ka marrë informacionin se në udhëkryqin e rrugëve Nuhi Gashi –Ilir Kunushevci në Podujevë, ka ndodhur një përleshje fizike mes dy personave. Në këtë rast i cili është cilësuar si lëndim trupor, një person ka pësuar lëndime trupore. Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Ahmeti./Llapi.info