Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, ka folur për dinamikën e punimeve në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë, të cilat kanë nisur në vitin 2016, shkruan Llapi.info.

Për Telegrafin, Ahmeti ka përmendur disa shkaqe që kanë çuar në zvarritjen e punimeve në këtë rrugë, duke shtuar se vonesat në rrugët nacionale në Kosovë kanë nisur qysh nga viti 2009.

“Tash së fundmi qëndron kjo që janë rrit dukshëm çmimet e derivateve dhe i çdo produkti tjetër e cila e finalizon një rrugë. Qe besa ka qenë edhe një kërkesë, të cilën nuk e di a e kanë bërë zyrtare apo jo që të pezullohen punimet për një afat të pa caktuar kohorë deri në zbritjen e çmimeve për arsye që operatorët ekonomik janë ankuar që në pamundësi të realizimit të punëve krahas rritjes së çmimeve enorme të çdo artikulli ushqimorë dhe ndërtimorë, do të pezullohen punimet deri në uljen e këtyre çmimeve ”, deklaroi për Telegrafin Ahmeti.

“Në këtë pjesën e rrugës Prishtinë-Podujevë, e kam projektuar prej Bërrnicës së Poshtme e deri te rruga për Besi. Si ka ndodhë në vitin 2009 kur është projektuar rruga deri më tani nuk ka realizim apo përfundim të punimeve. E arsyet janë të shumta që po ngecin këto punime, njëra prej arsyeve ka qenë edhe problemet me prona,  pra deri janë kryer shpronësimet e pronave private”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, frekuentuesit janë shprehur indinjuar për dinamikën e punimeve në këtë rrugë që lidh Llapin me kryeqytetin. Ata kanë thënë se gjatë punimeve kanë hasur në vështirësi të mëdha, duke shtuar se edhe aksidentet janë shpeshta. /Llapi.info