Nga java tjetër rasti Dehari do të transferohet në Institutin në Zvicër për superekspertizë, ashtu siç ishin dakorduar fmilja dhe kishte pranuar shteti, tha ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri në seancën e Kuvendit.
Në kohën e pyetjeve parlamentare, deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi tha se që nga data 16 mars 2018 kur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka raportuar në Kuvend, më nuk ka asnjë lajm rreth procesit në rastin Dehari për ekspertizën në Zvicër.
Çfarë është ndërmarrë deri tani, ose cfarë do të ndërmerret?, pyeti deputeti ministrin.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se ka përfunduar përkthimi i komplet lëndës dhe nga java tjetër ajo do të kalojë në Institutin e Zvicrës, njofton kallxo.com.
“Në këtë javë ka përfunduar përkthimi i lëndës komplet, me material rreth 3 mijë faqe. Jam i informuar nga Prokuroria e Shtetit që lënda do të dërgohet përmes Ambasadës së Zvicrës në Institutin e Zvicrës nga java tjetër”, tha ai.
Astrit Dehari, një aktivist i vetëvendosjes vdiq më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin me granatahedhës në Kuvend në gushtin e 2016-ës.
Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2016 miratoi rekomandimet për rastin Dehari, ndër të cilat “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së, ose SHBA dhe Qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.
Familja Dehari në shkurt të vitit 2017 vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.