Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takimin e rregullt me drejtorët e drejtorive komunale, ku është diskutuar për ecurinë e përgatitjes së Kornizës Afatmesme Buxhetore dhe dinamikën e realizmit të projekteve të planifikuara për vitin 2017, thuhet në kumtesën komunale, transmeton Llapi.info.
Në takimin e sotëm të ekzekutivit të Komunës së Podujevës, të cilin e udhëhoqi kryetari Agim Veliu, u diskutua për përgatitjen e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2018/20 (KAB) në bazë të Qarkores Buxhetore 2018/01.
Lidhur me këtë dokument anëtarët e ekzekutivit i informoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i cili kërkoi nga drejtorët që të përgatisin propozimet dhe planifikimet për këtë dokument.
Veliu kërkoi nga drejtorët që të respektohet dinamika e përgatitjes së këtij dokumenti strategjik për Komunën në përputhje me afatet e përcaktuara.
Gjatë takimit u tha se në kuadër të ecurisë së përgatitjeve të Kornizës Afatmesme Buxhetore do të organizohen takime publike me qytetarë, në mënyrë që kërkesat e tyre për investime në fusha të ndryshme të përfshihen në projeksionet buxhetore.
Krahas diskutimeve për KAB në takim u bisedua edhe për dinamikën e përgatitjes dhe realizimit të projekteve të planifikuara me buxhetin e vitit 2017./Llapi.info