Gazeta prestigjioze spanjolle ‘El Pais’ i ka kushtuar një artikull të veçantë kombëtares shqiptare të futbollit para duelit ndaj Spanjës, me theksin e vendosur te ideja e bashkimit të shqiptarëve nga e gjithë bota në një umbrellë: ngjyrat kuqezi të kombëtares.
Në artikullin e titulluar: “Shqipëria, një këngë dhe futboll për nder të gjyshërve: Misioni i Zabaletës dhe Silvinjos në kombëtare”, e përditshmja spanjolle shkruan për këngën ‘Mora Fjalë’ të kënduar nga këngëtarja Shkurte Fejza, si një himn të ri në Shqipëri.
Pjesë e artikullit, i cili është publikuar një ditë para duelit në Kampionatin Evropian mes Shqipërisë dhe Spanjës, është edhe Pablo Zabaleta, ndihmësi i selektorit Sylvinho, i cili shpjegon punën që stafi teknik ka bërë në kombëtaren kuqezi.
“Dhe Mora Fjalë tingëllonte në Shqipëri. Në vitin 2000, me idenë e bashkimit të shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, muzikanti Naim Gjoshi kompozoi një këngë për nder të Adem Jasharit, liderit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), milicisë për pavarësi të shqiptarëve të Kosovës. Kënga titullohet Mora Fjalë dhe u përhap në të gjithë Tiranën derisa u bë himn”, shkruan ‘El Pais’.
Dhe një ditë edhe shqiptarët u ndjenë krenarë për ekipin e tyre të futbollit, pasi u kualifikuan në Kampionatin Evropian për herë të dytë në histori.
“Kënga u bë një simbol i ekipit. Filluan ta këndonin pas çdo loje”, shpjegon Pablo Zabaleta, ish-lojtar i Manchester Cityt, ndihmës trajner i Shqipërisë, në një bashkë-bisedim me gazetarin me ‘El Pais’.
Teksa punonte si komentator për televizionin anglez në Kupën e Botës në Katar në dhjetor të vitit 2022, Zabaletës i cingëroi telefoni. Ishte shoku i tij Sylvinho.
“E kisha takuar në City. Një profesionist. I pari që mbërrinte për stërvitje dhe e hante mëngjesin në paqe. U lidhëm menjëherë. Duke qenë se ishte asokohe në fund të karrierës së tij, Mark Hughes i propozoi të ishte pjesë e stafit të tij trajner, ashtu si Mancini. Është profili ideal, serioz dhe e do futbollin. Ai punon dhe ka entuziazëm. Fisnik dhe gjeneron besim”, thotë Zabaleta.
Ai e konsideron Sylvinhon një nga miqtë që i ka dhënë futbolli, megjithatë thirrja e kishte habitur. “Më bëj një nder, më ka bërë ofertë kombëtarja shqiptare. Shikoj katër-pesë ndeshjet e fundit të tyre dhe duhet të më bësh një analizë”.
Sylvinho u sigurua nga federata shqiptare se kishte një brez futbollistësh interesantë dhe se u duhej një profil tjetër trajneri. Zabaleta e pranoi sfidën e mikut të tij dhe kur mbërriti në hotel pasi analizoi ndeshjet e kombëtares argjentinase në BBC, studioi ndeshjet e kombëtares shqiptare.
“Ka lojtarë të mirë. Dhe janë në një grup me Poloninë dhe Republikën Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavinë. Kjo kombëtare mund të kualifikohet në Evropian”, iu përgjigj Zabaleta, Silvinjos. “Eja me mua në Tiranë. Le të njihemi me ambientet”, tregon Zaballeta bisedën me Silvinjon.
Ata u habitën. Një stadium modern dhe qytet sportiv. Problemi, kultura e punës.
“Sylvinho u transferua të jetonte në Tiranë dhe unë udhëtoj çdo 10 ditë nga Barcelona. Mësuam fraza shqipe dhe u lidhëm me njerëzit. Të qenit amerikano-jugor na ndihmoi. Ne besojmë në kontaktin njerëzor”, thotë Zabaleta.
Të dyve iu desh të fillonin nga e para. Ata donin të linin gjurmë dhe të profesionalizoheshin.
“Ne i shpjeguam kopshtarit se nuk duhej të kosiste barin 10 minuta para stërvitjes dhe lojtarit që nuk mund të linte një çantë me të gjitha rrobat brenda, por duhej të vinte çdo tuta në pozicionin e secilit lojtar”.
Pasi u profesionalizua puna, erdhi gjëja më e vështirë: lojtarët. “Kur e panë që ne ishim të përkushtuar, e kryenin punën e tyre. Bëmë një përzgjedhje prej 50 lojtarësh. Bindëm shumë prej tyre që ishin në të gjithë botën se vendi i tyre ishte te skuadra shqiptare”, tregon Zabaleta.
Nga 26 lojtarët në Euro, vetëm shtatë kanë lindur në Shqipëri.
“Për herë të parë, futbolli krijoi një ndjenjë përkatësie. Dhe e bënë për vendin e gjyshërve dhe të prindërve të tyre. A ka krenari më të madhe?”, mbylli Zabaleta.
Tani ata duan që “Mora Fjalë” të tingëllojë në Gjermani.