Kanë kaluar 20 vite që nga zhdukja e babait, por ende jeton me këtë shpresë.

Elizabeta Plakolli nga fshati Letanc i Podujevës, lutet për ç’do ditë të marrë një lajm për babain e saj, Isakun të cilët së bashku me njerkën e saj i mori policia serbe.

“Jena nda në Herticë, më nuk e kemi pa kurrë”, thotë Plakolli për T7, transmeton Llapi.info

Elizabeta jeton vetëm në këtë shtëpi, tash edhe kur tri motra i janë martuar. Ajo thotë se ka pasur raste që ka marr lajme se kanë gjetur mbetje mortore, por pa rezultat.

“Menjëherë pas lufte po, kanë ardhur na e kanë marr gjakun, këqyrim e gjajna, por jo nuk na kanë dhanë asgjë”, thotë ajo.

Jo larg fshatit ku jeton Elizabeta, kanë filluar gërmimet këtu në Majac të Podujevës dyshohet se është varrosur një trup nga forcat serbe. E gërmime të tilla ka pasur tash e një kohë, por nuk është gjetur asgjë.

Drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se gërmimet bëhen mbi bazën e dyshimeve, ani se ka raste kur nuk gjendet asgjë.

“Me të arritur urdhëresa në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ne duhet ta kontrollojmë atë vend. Del apo nuk del është krejt diçka tjetër, por varet prej informatave që i kanë gjetur prokuroria dhe policia”, thotë ai.

Në anën tjetër kryetari i Shoqatës së të Pagjeturve në Podujevë, Latif Mehemeti, tregon se zvarritja e punimeve bëhet për shkak të tenderëve.

“Ka shumë arsye, një arsye ka qenë që ndërkombëtarë nuk janë shumë efikas, ani çështja e një tenderi disa muaj për zhvarrim”, thotë ai.

Ndryshe, në Kosovë janë mbi 1600 persona të pagjetur, në mesin e tyre 500 serbë./Llapi.info