Bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjit për Teatrot dhe Statutin e Komunës së Podujevës, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka marrë vendim për emërimin e Këshillit Drejtues të Teatrit Publik të Qytetit “Avdush Hasani”, njofton zyra për informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Në mbledhjen për konstituimin e Këshillit Drejtues të Kuvendit u inagurua Këshilli Drejtues me këtë përbërje: Ismet Azemi aktor, Ramadan Oraca aktor, Melihate Aliu dramaturge, Sabit Kopalla profesor i gjuhës angleze dhe Xhevat Llugaliu profesor i gjuhës shqipe.
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari theksoi rëndësinë e themelimit të teatrit dhe rrugën e gjatë të dëshmimit të krijuesve teatror përmes Teatrit të qytetit, Teatrit “Besiana” dhe “Qendresa”.
“Teatri i qytetit ka qenë shumë herë fitues në festivalet në Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë pastaj në Korqë, Vlorë, Ulqin. Pas shumë përpjekjeve dhe pas kompletimit të infrastrukturës ligjore komuna e Podujevës nis me themelimin e institucioneve të artit dhe kulturës. Teatri si institucioni i parë sot nis punën me inaugurimin e Këshillit Drejtues” ka thënë Rudari.
Ndërsa sipas Agron Gërguri ushtrues detyre i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport shumë shpejt do të filloj realizimi i shfaqjes së parë të teatrit, e cila si pilot projekt do të identifikoi dhe promovoi resurset artistike, organizative dhe profesionale që Podujeva të prezantohet në Festivalin “Teatri ndryshe” i cili tash tetë vite mbahet në Podujevë, e cili ka qenë në funksion të zhvillimit të veprimtarisë teatrore.
Artdashësit teatror shumë shpejt do të kenë mundësi të përcjellin shfaqje nga Teatri “Avdush Hasani” dhe teatrot tjera në sallën e Teatrit e cila do te rinovohet.
Komuna ka nda një shumë prej 70.000 € për zgjerimin dhe renovimin e nyjes sanitare, zhveshtoreve, dhe hapësirës skenike./Llapi.info